Pas vendimit dënues të Hagës për katër ish krerët e UÇK, mijëra qytetarë protestuan në Prishtinë dhe në disa prej qyteteve kryesore të Europës me kërkesën: ndryshimin e Ligjit për specialen.
Ligji kaloi me ndryshimet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës pak përpara mesnatës së 6 tetorit, por çfarë ndryshon tani për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin dhe për të gjitha rastet e tjera që lidhen me krimet e luftës?
Në nenin 1 të Ligjit për Specialen, thuhet se qëllimi i këtij ligji është në përputhshmëri të plotë me qëllimin për të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara, nuk bien ndesh me nenin 162 të Kushtetutës, por kufizojnë veprimtarinë e tyre gjyqësore në PRETENDIMET SPECIFIKE TË PËRCAKTUARA NË RAPORTIN E ASAMBLESË PARLAMENTARE TË KËSHILLIT TË EVROPËS.(Raporti i Dick Marty)
Në ndryshime sigurohet parandalimi i atij që është quajtur degradimit të institucioneve të Dhomave të Specializuara në një gjykatë të jashtëzakonshme, dhe riafirmimi e epërsisë institucionale të gjykatave të rregullta vendore për të gjykuar të gjitha krimet e tjera të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprat e përgjithshme penale të kryera brenda territorit të Kosovës.
Konkretisht:
- Kufizohet juridiksioni i Dhomave të Specializuara ekskluzivisht në veprat penale specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të KE. (nxjerrja, heqja dhe trafikimi i paligjshëm i organeve, vrasja e paligjshme, tortura ose trajtimi mizor i kryer në vendet specifike të ndalimit të emërtuara shprehimisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të KE)
- Dhomat e Specializuara nuk kanë juridiksion mbi krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike të kryer në Kosovë.
- Përcakton procedurën për transferimin e detyrueshëm të të gjitha procedurave të tjera tek gjykatat e rregullta të Republikës së Kosovës.
- Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë juridiksion vetëm mbi krimet që kanë ndodhur ndërmjet 1 korrikut 1999 dhe 31 dhjetorit 2000 të kryera në territorin e Kosovës.
- Ushtrimi i juridiksionit kufizohet në faktet që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet konkrete të Raportit dhe nuk shërben si bazë për zgjerimin e juridiksionit ndaj ngjarjeve të tjera.
- Në çdo fazë të procedurës penale, Trupi Gjykues shqyrton nëse akuzat ose pretendimet bien brenda juridiksionit lëndor të përcaktuara. Gjykata Supreme vendos përfundimisht lidhur me çështjen e kompetencës brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të ankesës.
- Kur procedura para Dhomave përfundon tërësisht ose pjesërisht për shkak të mungesës së juridiksionit, lënda ose pjesa përkatëse e saj transferohet pa vonesë te autoriteti kompetent i Republikës së Kosovës.
- . Provat materiale transferohen me inventar dhe me dokumentim të plotë të zinxhirit të ruajtjes dhe dorëzimit.
- Dhomat e Specializuara mund t’i shqiptojnë personit të dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë vjet.
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund ta referojnë këtë ligj në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë.
Megjithatë, ata mund ta referojnë atë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në Prishtinë.
Ligji hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ndryshimet e miratuara në ligj nuk parashikojnë mbylljen e Gjykatës Speciale.
Për rastin aktual, atë të katër ish krerëve të UÇK-së, çështja vazhdon në Hagë, ndërsa një rigjykim i mundshëm i tyre do të nis nga autoritetet e Kosovës.


