Nga Shqipëria në Itali, nga puna në trenat e shpejtë te një zyrë në Parlamentin Europian. Historia e Eriseld Zenelit është një rrugëtim që nis me sakrificën e një babai dhe vazhdon me këmbënguljen e një djali. Në vitin 1992, babai i tij u nis me gomone drejt Italisë, në kërkim të një jete më të mirë për familjen. Zbriti në Pulia dhe më pas u vendos pranë Bolonjës, ku nisi nga e para përmes punës dhe fjalës së mirë.
Tre vite më vonë, Eriseldi mbërriti në Itali bashkë me nënën. Ishte ende pa mbushur tre vjeç. Italia dhe Bolonja u bënë shtëpia e tij, por rruga drejt suksesit nuk ishte e lehtë. Për shkak të vështirësive ekonomike, pas shkollës nisi të punonte, duke e shtyrë universitetin për më vonë.
Punoi, kurseu dhe më pas u regjistrua në Shkencat e Edukimit. Vazhdoi studimet deri në masterin në Psikologjinë e Organizatave, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Por diploma nuk mjaftoi për t’i hapur menjëherë dyert. Ai thotë se u përball me paragjykime dhe vështirësi për shkak të origjinës.
Për tre vite punoi si kapotren në Trenitalia, në trenat Freçiarossa. Ishte një punë që i dha mundësinë edhe të blinte një shtëpi në Bolonjë. Por Eriseldi kërkonte më shumë. Në vitin 2022 aplikoi për një praktikë në Parlamentin Europian.
Pas shtatë muajsh praktikë, iu ofrua një vend pune i përhershëm. Sot punon në departamentin e burimeve njerëzore të Parlamentit Europian në Luksemburg, ku merret me të dhëna institucionale dhe ka edhe një rol diplomatik.
Nga një fëmijë i një familjeje emigrantësh, në një profesionist që punon në një prej institucioneve më të rëndësishme europiane. Tashmë ai ka vendosur ta rrëfejë gjithë këtë histori në librin “Kundër erës. Nga Shqipëria në Bruksel: Ditari i një Europe të mundshme”.
Një histori për emigracionin, paragjykimet, punën, arsimin dhe këmbënguljen për të mos u dorëzuar përballë dyerve të mbyllura. Një histori që nis me një gomone dhe arrin deri në zemër të Europës./abcnews.al


