Ekspertja e ekonomisë, Morena Boja, në një intervistë për “Money Report” në ABC News, ka ngritur shqetësimin për nivelin e ulët të pagave dhe rritjen e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri.
Ajo theksoi se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të familjeve shkon për produkte bazike, ndërsa vendi vijon të ketë varësi të lartë nga importet.
Boja nënvizoi nevojën për institucione më funksionale, transparencë dhe kontroll më të madh si për çmimet, ashtu edhe për cilësinë ushqimore. Sipas saj, bujqësia dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale mund të jenë sektorë me potencial për rritje të qëndrueshme të ekonomisë.
“Kjo lidhet jo vetëm me faktin që ne kemi paga më të ulëta jo vetëm në rajon, por edhe në BE. Kjo ka të bëjë edhe me rritjen e çmimeve, sidomos të produkteve të konsumit. Paga jonë minimale është gjysma e pagës minimale të një vendi europian, Polonisë.
Kurse çmimet e ushqimeve që ne shpenzojmë janë shumë më të larta. Është shumë shqetësuese që gjysma e të ardhurave shkojnë për ushqim, që janë shumë bazike. Ne si qytetarë meritojmë që të konsumojmë ushqime të sigurta. Ne varemi në mënyrë të drejtpërdrejtë nga importi, kështu që çdo gjë që ndodh me vendet që ne kemi import, ndikon edhe në ekonominë tonë, sepse ne kemi një ekonomi të pavarur.
Konflikti në Lindjen e Mesme ndikon edhe në ekonominë tonë. Sa i takon transparencës është një iniciativë e qeverisë e cila do t’i shërbejë transparencës, por duhet që të funksionojnë institucionet. Problemi nuk qëndron te shitësi me pakicë, por te distributorët me shumicë. Çështja qëndron që duhet të funksionojnë institucionet, që duhet të marrin shumë seriozisht jo vetëm çmimet, por edhe te cilësia ushqimore. Pyetja është se nga vjen rritja dhe cili është sektori që kontribuon.
Ka sektorë të ndryshëm të cilët kanë nevojë të stimulohen në mënyrë që vendi të sigurojë një rritje të qëndrueshme dhe stabël. Janë disa elementë që duhen bërë bashkë dhe që do të funksionojë. Për një vend me një ekonomi si kjo e jona, mendoj që Inteligjenca Artificiale mund të çojë në rritjen e shitjeve dhe të të ardhurave. AI mund t’u vijë në ndihmë bizneseve. Mendoj që bujqësia mund të konsiderohet si një sektor prioritar, ku ne mund të investojmë”, u shpreh ekspertja.


