Drafti i opozitës për Kodin Zgjedhor, Mesila Doda: Emergjente çështja e vjedhjes së votës

schedule21:35 - 8 Janar, 2020

schedule 21:35 - 8 Janar, 2020

Opozita po vepron me urgjencë në raport me reformën zgjedhore, ndërsa qëllimi i saj është mbajtja e dy palë zgjedhjeve në një datë më të afërt.

Mesila Doda e PDIU i tha ABC News se këmbëngulja e kampit opozitar qëndron tek zhbërja e fenomenit të shitjes së votës.

Të gjitha përpjekjet tona do të duhet të jenë për zgjidhjen e krizës, dhe kjo do të thotë zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje lokale në të njëjtën ditë. Ajo që ka këmbëngulur opozita, dhe ajo që është më emergjente në situatën politike në të cilën ndodhet vendi, nuk qëndron në faktin se problemi më i madh është te sistemi. Për opozitën problemi më i madh është vjedhja e votës. Kjo krijon bazën e një sistemi jolegjitim”, tha Doda.

Megjithatë, maxhoranca në komisionin e posaçëm dhe opozita jashtë tij, takohen nën një pikë, sa i përket asaj se çfarë duhet të ndryshoj në Kodin Zgjedhor.

“Jemi përqendruar në vërejtjet kryesore të OSBE / ODIHR, janë në sinkron dhe në të njëjtën linjë me kërkesat që ne kemi patur në tryezën e opozitës në maj, kanë lidhje me presionet e administratës, me rregullimin e komisioneve zgjedhore por edhe me atë të numërimit, me pasjen e një transparence më të madhe gjatë numërimit”, tha ajo.

Tema e ndryshimit të sistemit zgjedhor është shtyrë për një moment tjetër edhe nga opozita, por Doda e pranon që sistemi aktual nuk i jep drejtësi votës së shqiptarëve.

Është një sistem që nuk ka drejtësi, midis sasisë së votave, dhe mandateve. Mjafton t’ju kujtoj faktin që në 2017, PDIU mori 76 mijë vota, dhe u përkthye gjithsej në 3 mandate, gjë që do të thotë se 1 mandat i PDIU kap shifrën e rreth 25 mijë votave apo më tepër, ndërkohë që kemi partitë e mëdha, që 1 mandat e përkthejnë me 9 mijë vota pothuajse”, theksoi Doda.

Ndërsa ideja e zhvillimit të një referendumi, ku shqiptarët të zgjedhin vetë sistemin e votimit ka pengesa.

“Pse jo edhe referendum për sistemin zgjedhor, nëse do të ishte e mundur, aq më mirë nëse e vendosin shqiptarët, por sipas mendimit tim, përpjekjet do të duhet të jenë tek krijimi i një situate normale në vend”, tha Mesila Doda në përfundim të intervistës.

Opozita e drejtuar nga PD ka bërë gati draftin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, propozime që do ti bëhen të ditura edhe ndërkombëtarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!