Nuk kanë fituar ende asgjë, pavarësisht se e tronditën Europën.
Anglia arriti një fitore të jashtëzakonshme në fushën e Kroacisë më rezultatin 7-0 në sfidën e Ligës së Kombeve, në një nga ato mbrëmje historike që dikur I shpaloste skuadra e trajnerëve si Bobi Robson, Terri Venejbëlls apo edhe Sven Goran Erikson, pa shkuar deri te koha e Sër Alf Ramsejt apo Uolter Uinterbotëm.
Sfida në stadiumin “Kantrida” në Rijekë pritej pritej më e fortë, siç kanë qenë duelet mes këtyre dy ekipeve të paktën në 10 apo 15 vitet e fundit, por ndodhi krejt ndryshe.
Të mbiquajturit “tre luanët” patën epërsi dërrmuese edhe pse jashtë fushe, duke marrë avantazhin 5-0 që në pjesën e parë.
Kapiteni Harri Kejn shënoi dy gola, po aq sa lideri I Arsenalit, Bukajo Saka, ndërsa ylli I Realit, Belingham, realizoi një gol dhe shërbeu 3 asiste.
Çfarë do të thotë ky sukses për shpikësit e futbollit?
Padyshim një konfirmim se janë ndër më të fortët në botë, pas rezultateve pozitive në Botërorin 2018, Europianët 2020 e 2024 dhe në Kupën e fundit të Botës, veçse trofetë ende janë një mirazh.
“Në qiellin e shtatë”, – është titulli I tabloidit “San”, – Tre luanët shkruajnë historinë ndërsa Harri Kejn udhëheq kombin në masakrimin e kroatëve!”
“Një Angli sublime shkatërron Kroacinë në paraqitjen më të mirë në një dekadë”, – shkruan edhe “Telegraf”, – nëse kjo është loja e Tuhelit, jemi dakord!”
“Dygolësha nga Kejn dhe Saka, ndërsa Anglia I jep leksion Kroacisë në vënien përpara me rezultatin historik 7-0”, është titulli nga “Gardian”!
Kjo ishte humbja më e rëndë e kombëtares së Kroacisë në historinë e saj, dhe shkaktoi tronditje të madhe tek tifozët dhe mediat.
“Rrënimi I reputacionit, – është qortimi I ashpër I “Jutarnji Listit” për Kroacinë, – dita e zezë e futbollit kroat! Shkatërrim historik dhe humbja më e rëndë për të gjitha kohët!”
“Nuk na shkon filozofia e Biliçit, dhe kjo Kroaci ka humbur identitetin”, – analizon e përditshmja tjetër e Zagrebit, “Veçernji List”.
E njëjta gazetë sjell fjalët e kapitenit Luka Modriç që flet krejtësisht hapur pas humbjes historike: Për herë të parë në 20 vjet më erdhi turp!
Gjithsesi, Anglia është në vendin e dytë në grupin e nivelit A të Ligës së Kombeve me 6 pikë, ndërsa në krye është Spanja me 9 pikë të plota pas fitores 3-1 ndaj Çekisë.


