Kryeministri francez Sébastien Lecornu ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, me synimin për të ulur deficitin e vendit dhe për të rikthyer ekuilibrin në financat publike.
Plani i qeverisë parashikon kursime prej 43 miliardë eurosh. Së bashku me masat e marra gjatë vitit 2026, qeveria synon të sigurojë gjithsej 54 miliardë euro. Objektivi është që deficiti buxhetor të ulet në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2027, nga 5.6% që pritet të jetë këtë vit.
Situata financiare e Francës mbetet e vështirë. Të enjten në mëngjes, interesi i obligacioneve franceze 10-vjeçare arriti në 4.95%, niveli më i lartë që nga viti 2002. Ndërkohë, diferenca me normën e interesit të obligacioneve gjermane arriti në një rekord prej 132 pikësh bazë.
Edhe kostoja e borxhit po rritet. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Ekonomisë, Franca do të paguajë më shumë se 79 miliardë euro interesa për borxhin këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm kjo shifër pritet të shkojë në 91 miliardë euro.
Ministri i Ekonomisë, Roland Lescure, tha se krizat ndërkombëtare, luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe valët e të nxehtit dhe thatësirat, kanë rënduar mbi ekonominë franceze. Megjithatë, ai theksoi se vendi duhet të rikthejë ekuilibrin në financat publike.
Qeveria synon gjithashtu që deri në vitin 2029 deficiti të ulet në 3% të PBB-së. Për vitin e ardhshëm, parashikohet një rritje ekonomike prej 1%.
Projektbuxheti do të përballet tani me një proces të vështirë parlamentar. Debati në Parlament pritet të nisë më 17 tetor dhe të zhvillohet në një klimë të tensionuar, vetëm disa muaj para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Qeveria e Lecornusë nuk ka shumicë në Parlament dhe për këtë arsye kryeministri mund të përdorë sërish nenin 49.3 të Kushtetutës franceze, i cili lejon miratimin e një projektligji pa votim në Parlament. Megjithatë, deputetët mund t’i përgjigjen duke paraqitur një mocion mosbesimi, i cili, nëse miratohet, do të rrëzonte qeverinë.
Lecornu po përpiqet të sigurojë mbështetje nga parti të tjera, përfshirë socialistët. Por Partia Socialiste e ka kritikuar tashmë projektbuxhetin, duke thënë se qeveria nuk po u kërkon sakrifica të mjaftueshme shtresave më të pasura.
Edhe të Gjelbrit kanë paralajmëruar se do të mbështesin një mocion mosbesimi nëse buxheti mbetet në formën aktuale, të cilën e konsiderojnë të papërballueshme.
Ndërkohë, Rassemblement National e ka cilësuar projektbuxhetin si zhgënjyes. Partia kishte lënë të kuptohej fillimisht se nuk dëshironte rrëzimin e qeverisë për shkak të situatës ekonomike, por qëndrimi i saj mund të ndryshojë gjatë debatit parlamentar.
Miratimi i buxhetit është një nga sfidat kryesore për qeverinë franceze përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Parlamenti pritet të ketë kohë deri në fund të dhjetorit për të përfunduar procesin e miratimit.


