Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj dy bazave ushtarake amerikane në Irak. Kreu i shtetit dënon sulmin iranian, teksa e cilëson atë si veprim provokues me pasoja të rrezikshme.
Presidenyi në mesazhin e tij i është kundërpërgjigjur liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili gjatë një deklarate i referohej një vendi të vogël, por sipas tij shumë të keq dhe djallëzor në Europë.
“Një vend i vogël europian, shumë i vogël dhe shumë i mbrapshtë ka bërë komplot me SHBA dhe tradhëtarët e MEK kundër Iranit,”– u shpreh Khamenei, por pa permendur emrin e Shqipërisë.
Ndërsa, Meta shprehet se “Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta”.
Po ashtu Presidenti nënvizon se Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Reagimi i Ilir Metës:
Raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombetare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes.
Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta.
Prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë./abcnews.al