Argjentina nis me fitore “erën” pas Lionel Messi.
Pas më shumë se dy dekadash pa “Pleshtin”, kombëtarja “albiceleste” mundi 4-0 Bolivinë në miqësore, ndërsa kjo ishte ndeshja e parë që pas dështimit në finalen e Kupës së Botës.
Rezultati tregon qartë dominimin e vendasve në stadiumin e Cordoba që mban emrin e “Mario Kempes”.
Vendasit morën menjëherë kontrollin e sfidës dhe në minutën e 19-të gjetën epërsinë me Lautaro Martinez.
Goli i sulmuesit argjentinas i hapi rrugën suksesit të Argjentinës, që përpara pushimit dyfishoi diferencën me Nico Paz. I projektuar si një nga pasardhësit e Messi, talenti që luan me Como në Serie A ndali topin në rrjetë në minutën e 29-të me një prekje klasi brenda zonës.
Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit Bolivia provoi të reagonte, por pa sukses.
Shpresat e miqve u shuan shpejt, pasi në minutën e 54-rt, të zotët e shtëpisë vranë garën me golin e tretë, që mban firmën e mbrojtësit Cristian Romero.
Për të vulosur fitoren, Argjentina priti fundin e ndeshjes, ndërsa vetëm katër minuta nga mbyllja e kohës së rregullt Lopez plotësoi “pokerin” e golave.
Megjithëse vetëm një miqësore, ky sukses i vlen Argjentinës për të hedhur pas krahëve zhgënjimin në finalen e Botërorit, por edhe dyshimet se si do të jetë e ardhmja pa Lionel Messi.
“Pleshti” pritet të luajë edhe sfidën e lamtumirës më 7 dhjetor në Buenos Aires kundër Beninit, ndërsa më parë “albiceleste” ka edhe një tjetër miqësore kundër Burkina Faso.


