Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

PS: Çështja e Vlora Hysenit, në hetim nga drejtësia/ Konferenca e Kryetarëve diskuton kërkesën e PD për mocion me debat

schedule10:13 - 1 Tetor, 2026

schedule 10:13 - 1 Tetor, 2026

S’ka dakordësi për mocion me debat në parlament për Shish dhe Vlora Hysenin. Në konferencën e kryetarëve, PS kundërshtoi kërkesën e PD me argumentin se parlamenti nuk mund t’i mbivendoset hetimit të SPAK apo të nxjerrë fajtore në SHISH.

“Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale”, tha Balla.

Edhe njëherë PS distancohet qartazi nga Vlora Hyseni dhe mbështet e respekton hetimin e SPAK.



“Pafajësia ose fajësia e një zyrtari, edhe pse i propozuar, mbështetur apo votuar prej nesh, i vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”, u shpreh Balla.

Por kërkuesit të këtij debati, PD, i kërkoi që të ndjekë të njëjtin standard, ndryshe çfarë bën kryetari i saj, Sali Berisha me SPAK.

“Çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre, duhet të ndalet. Rituali i turpit në dy të hëna të muajit nga një i pandehur para dyerve të SPAK, duhet të ndalet” shtoi ai.

PS pret rezultatet përfundimtare të hetimit të SPAK. Problemi nuk është më Vlora Hyseni, por çfarë ka ndodhur me sigurinë kombëtare dhe partnerët e sigurisë së Shqipërisë.

Kurse PD, në mbledhjen me dyer të mbyllura të konferencës së kryetarëve, më tepër se debatit me Vlora Hysenin,tregoi me zell një dëshirë më të madhe, debatin me Edi Ramën.

Kërkesë për të cilën nuk u ra dakord në këtë mbledhje, por për të do të vendosë seanca parlamentare e radhës. Siç dihet, Shumicën e kartonave e ka PS, por kjo është një tjetër arsye që PD siç do vjeshtë të fillojë me spektaklin e bllokimit të seancave parlamentare.

Reagimi i plote:

“Lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit. Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik. Sipas jurisprudencës së konsoliduar tanimë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale.

Falë kësaj shumice qeverisëse, me kurajo e me vendosmëri i është hapur rruga drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.

Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lemë sistemin të bëjë punën e vet. Asnje instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri tek komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK. Dua të ripërsëris këtu se çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre, duhet të ndalet. Rituali i turpit në dy të hëna të muajit nga një i pandehur para dyerve të SPAK, duhet të ndalet. Forca politike, brenda së cilës militon ky person, duhet ta bëjë debatin e parë brenda vetes për këtë çështje.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi thënë ditën e parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një zyrtari, edhe pse i propozuar, mbështetur apo votuar prej nesh, i vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Shkarkimi i menjëhershëm dje nga detyra i drejtores së shërbimit ishte pikërisht shembulli i kësaj qasje nga ana jonë. Ndërkohë që të gjitha institucionet që ngarkon ligji:

Kryeministri → varësia institucionale
Komisioni i Kuvendit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes → mbikëqyrja parlamentare
Presidenti → raportim + kompetenca mbi drejtimin
Inspektori i Përgjithshëm → inspektim i veprimtarisë
KLSH/Auditimi → kontroll financiar
Prokuroria/Gjykata → kontroll ligjor/judicial në fushat përkatëse

Kjo është një çështje që unë i duhet lënë prokurorisë dhe gjykatës, jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë.

Deri më tani nuk ka asnjë shqetësim nga partnerët.” u shpreh Balla.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!