Dy ndeshje, dy fitore dhe vendi i parë me pikë të plota. Rolando Maran nuk mund të kërkonte më shumë në aventurën e parë me kombëtaren e Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Trajneri vlerësoi skuadrën kuqezi në transfertën e San Marinos, pavarësisht paraqitjes së saj me dy fytyra.
“Ne e donim fitoren me çdo kusht. E dimë që në këto ndeshja ka shumë për të fituar dhe rikuperuar, ndaj e nisëm shumë fort. U munduam ta siguronim sa më shpejt rezultatin dhe ia dolëm. Më pas e ulëm pak ritmin edhe për shkak të ndeshjeve të afërta, për të kursyer disi energjitë. Por ne e donim rezultatin dhe e morëm në mënyrën që dëshironim”, tha Maran.
Përveç rezultatit, ndeshja e fundit i shërbeu Maran edhe për diçka tjetër, po aq të rëndësishme.
“Jam i kënaqur. Sot patëm, mos gaboj dy debutime si dhe disa lojtarë që nuk kanë shumë eksperiencë me kombëtaren. Ishte një mundësi e mirë për t’i parë dhe për t’i provuar dhe mendoj se përtej rezultatit kjo ishte diçka pozitive. Mendoj se është një aspekt që duhet theksuar”, tha ai.
Tani e gjithë vëmendja është te sfida e radhës kundër Finlandës, që mund të vulosë përpara kohe vendin e parë në grup.
“Pres ta shoh sërish Shqipërinë të luftojë për çdo top, siç kemi bërë gjithmonë deri tani me dëshirën për të marrë rezultat. Na pret një ndeshje shumë impenjative, por do të shkojmë me mentalitetin e duhur dhe me energjitë e duhura për ta përballuar. Me shumë besim, por edhe me shumë respekt, sepse e dimë se do të përballemi me një skuadër të mirë. Megjithatë, do të hyjmë në fushë me shumë besim” shtoi Maran./abcnews.al


