Shqipëria ka marrë vendin e parë në grup, pasi mposhti me rezultatin 0-3 San Marinon në transfertë.
Kuqezinjtë, me ndryshime të shumta në formacion kanë bërë gjithçka mirë përballë modestëve vendas, duke shënuar dy gola në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën.
Goli i avantazhit erdhi në minutën e 21-të. Pas një goditjeje nga këndi, Manaj devijoi topin drejt shtyllës së dytë, ku Mehmeti u shfaq në momentin e duhur dhe e shtyu sferën në rrjetë për 0-1.
Shqipëria vijoi të sulmonte dhe vetëm gjashtë minuta më vonë gjeti edhe golin e dytë. Në minutën e 27-të, pas një goditjeje dënimi të Manajt, portieri i San Marinos grushtoi topin, por sfera përfundoi te Uzuni, i cili gjuajti menjëherë dhe realizoi. Goli u kontrollua për rreth dy minuta nga VAR-i, përpara se të konfirmohej.
Në minutën e 65-të shënoi edhe golin e tretë. Pas një goditjeje këndi, topi përfundoi te Manaj, i cili në tentativën e dytë mposhti portierin vendas dhe vulosi rezultatin në 0-3.
Në ndeshjen tjetër të grupit Finlanda dhe Bjellorusia barazuan pa gola, duke i dhënë mundësinë Kombëtares sonë që pas kësaj fitoreje të marrë kreun e grupit./abcnews.al


