Një miqësi që sfidon përkufizimet, një e vërtetë familjare tronditëse dhe dy njerëz që, pavarësisht largësive, nuk arrijnë të shkëputen nga njëri-tjetri. Romani “Ikanakët” i shkrimtarit italian Mario Desiati vjen për lexuesin shqiptar, duke sjellë një histori të thellë mbi përkatësinë, dëshirën dhe pranimin e vetvetes.
I sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Dituria”, në përkthimin e Albana Nexhipi Lekaj, romani rrëfen marrëdhënien e pazakontë mes Françeskos dhe Klaudias, dy të rinjve që rriten në Martina Franca, në rajonin e Pulias.
Të ndryshëm në karakter dhe në mënyrën si e përballojnë jetën, ata gjejnë te njëri-tjetri atë pjesë të vetes që nuk arrijnë ta kuptojnë apo ta shprehin. Njohja në shkollën e mesme merr një kthesë tronditëse kur zbulojnë se nëna e Françeskos dhe babai i Klaudias kanë një lidhje dashurie.
Një sekret që mund t’i kthente në armiq, por që në vend të ndarjes krijon mes tyre një aleancë të heshtur, e cila do t’i shoqërojë përgjatë viteve.
Françesko është i ndrojtur, i lidhur me familjen, fenë dhe vendlindjen, ndërsa Klaudia është e guximshme, e paparashikueshme dhe sfiduese ndaj normave shoqërore. Ajo e shtyn atë të përballet me dëshirat dhe pasiguritë e veta, ndërsa ai i ofron një ndjenjë vazhdimësie dhe një vend ku ajo mund të kthehet.
Përmes largimeve, ndryshimeve dhe rikthimeve, marrëdhënia e tyre lëviz mes miqësisë, admirimit dhe një afërsie që nuk mund të përkufizohet lehtë si dashuri.
Rrëfimi shtrihet nga rinia në Pulia deri te përvojat në qytete të tjera, përfshirë Berlinin, duke ndjekur përplasjen mes asaj që shoqëria pret prej nesh dhe asaj që ne dëshirojmë të jemi.
Me një stil intim, gjuhë të drejtpërdrejtë dhe rrëfim në vetën e parë, Mario Desiati ndërton një roman për marrëdhëniet që i mbijetojnë kohës dhe distancës. Shkrimtari italian, fitues i çmimit prestigjioz “Strega” në vitin 2022, sjell një histori që ngre një pyetje thelbësore: a mund të jetë dikush njëkohësisht njeriu nga i cili largohemi dhe ai tek i cili kthehemi gjithmonë?/abcnews.al


