Fillimi i mirë jep moral për të arritur objektivin. Këto ishin fjalët e trajnerit të kombëtares, Rolando Maran, pas fitores ndaj Bjellorusisë në Ligën e Kombeve, e padyshim që u ndje i lehtësuar. Tekniku italian pranoi se fillimi ishte i vështirë dhe sqaroi se përse u deshën shumë minuta për të marrë veten.
“Ndeshjet kanë shumë kthesa. Ne e dinim se ata do ta nisnin ndeshjen shumë fort dhe nuk do të na linin të luanim, ndaj duhej të gjenim mënyrën dhe hapësirën për të dalë në lojën tonë. E prisnim një fillim të tillë, ndonëse jo kaq të vështirë. E dinim edhe sa më shumë kalonte koha, aq më shumë do t’i detyronim të gabonin pasimet në gjysmëfushën tonë, pra ne do të kishim mundësitë tona. Kjo ishte loja jonë.
Na u deshën disa minuta për t’u përshtatur. Vinim nga dy ndeshje të vështira, ndërsa Bjellorusia nuk humbiste 7 ndeshje radhazi. Ishte normale që nuk e filluam në maksimum. Më pas ishim në rritje dhe jam I kënaqur. Është normale që të kesh vështirësi gjatë ndeshjeve. Edhe kur na sulmuan, nuk është se I lejuam që të na rrezikonin, ndërsa më pas gjetëm mënyrën për të zhvilluar një ndeshje shumë të mirë”, tha ai.
Italiani nuk deshi t’i vinte notë paraqitjes së Shqipërisë, por theksoi një statistikë që e quajti mjaft të rëndësishme.
“Është e vështirë të flas me përqindje sesa mirë i bëmë detyrat. Natyrisht, kemi bërë gjëra për të cilat punuam gjatë gjithë javës. Ne patëm dëshirë për të luajtur nga fillimi deri në fund në mënyrën që u përgatitëm.
Pati momente që ia dolëm më mirë, pati momente që vuajtëm, siç e thashë më herët, por skuadra e pati gjithmonë fizionominë e saj, identitetin e saj.
Goditi portën 20 herë, dhe kjo është një statistikë shumë e mirë për ne, sepse ndaj një skuadre që vinte nga 6 ndeshje pozitive, 3 fitore dhe 3 barazime, këtë duhet ta vlerësojmë. Ishte ekip që mund të na vinte në vështirësi dhe na krijoi vështirësi, por edhe kur ishim në vështirësi i gjetëm zgjidhjet e duhura”, tha ai.
Sa besim ka trajneri kuqezi se do të arrihet vendi I parë, që është edhe objektivi në Ligën e Kombeve?
“Sigurisht, nisa e mirë na jep një nxitje të madhe morale, përveç tri pikëve që fituam. Kjo kombëtare vinte nga një periudhë e vështirë. Ishte eliminimi për në Botëror, pastaj këto dy ndeshje që u luajtën pas një ndryshimi kaq të shpejtë. Nuk patëm as kohë për t’i përgatitur siç duhet. Pra, ishte një moment I veçantë. Fakti që arritëm fitore duke e merituar është padyshim një sinjal I mirë për të vazhduar udhëtimin tonë dhe për të arritur objektivin e parë”, pohoi ai.

