Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vizita e Papës në Francë/ Në ditën e dytë, mijëra besimtarë në Champe-Elysee për ta përshëndetur

schedule23:49 - 26 Shtator, 2026

schedule 23:49 - 26 Shtator, 2026

Papa Leoni XIV vijoi vizitën e tij apostolike në Francë. Në ditën e dytë të qëndrimit në vend, të shtunën, kreu i Kishës Katolike zhvilloi disa takime në Paris, përpara se të udhëtonte drejt Lourdes, një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik.

Gjatë paradites, Papa vizitoi qendrën e pritjes “Maison Bakhita”, ku u takua me komunitetin e emigrantëve. Papa u prit nga drejtuesit e qendrës dhe dëgjoi dëshmitë e personave që kanë marrë ndihmë aty.

Në fjalën e tij, Leoni XIV u ndal te dinjiteti i çdo njeriu dhe te nevoja për të mos lënë askënd jashtë shoqërisë.

“Askush nuk është aq i varfër sa të mos ketë asgjë për të dhënë dhe askush nuk është aq i pasur sa të mos ketë asgjë për të marrë”, ishte një prej mesazheve të tij.

Më pas, Papa u takua me katekumënët në Institutin Katolik të Parisit. Ai tha se ishte i befasuar nga numri i të rriturve që po afrohen me fenë katolike dhe po zgjedhin të pagëzohen.

Por momenti më i madh i ditës priste në zemër të Parisit.

Që prej orëve të para, mijëra besimtarë u mblodhën përgjatë Champs-Élysées, duke pritur kalimin e Papës. Me flamujt e Francës dhe të Vatikanit në duar, turma e shoqëroi Leonin XIV gjatë udhëtimit me papamobil drejt Place de la Concorde.

Aty u zhvillua mesha e madhe e hapur, një prej momenteve kryesore të vizitës së Papës në Francë. Sipas shifrave të publikuara gjatë ditës, rreth 800 mijë njerëz u mblodhën përgjatë zonës së Champs-Élysées dhe Place de la Concorde për të marrë pjesë në kremtim.

Nën një qiell të mbuluar, por përballë një turme gjigante, Papa Leoni XIV foli për një tjetër lloj “etjeje” – atë shpirtërore.

Duke iu referuar figurës së ujit të gjallë, ai tha se dëshira për Zotin jeton thellë në zemrën e njeriut dhe se Krishti është burimi që mund të shuajë etjen për jetën, të vërtetën, unitetin, paqen dhe lumturinë.

Në mbrëmje, Leoni XIV mbërriti në Lourdes, destinacioni i dytë i vizitës së tij, ku ndalesa  eparë ishte shpella e Massabielle, një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik në botë. Atje, përballë figurës së Zonjës së Lourdes, Papa u ndal në heshtje për lutje.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!