Është larguar para 20 vitesh, por çdo verë e kalon në vendlindjen e tij, Tropojë…
Si për çdo njeri, edhe për inxhinier Nezir Mekshiqin, vendlindja është e shenjtë.
Profesor doktor Nezir Mekshiqi i ka kushtuar pesë dekada të jetës kërkimit, zbulimit dhe shfrytëzimit të pasurive nëntokësore të Shqipërisë.
Në studion e tij, historia e gjatë e profesionit duket edhe në detaje. Pajisje të përdorura që në hapat e parë të karrierës ruhen ende me kujdes, si dëshmi të një kohe kur kërkimet gjeologjike bëheshin në terren, larg laboratorëve dhe teknologjive të sotme.
Karrierën e nisi menjëherë pas përfundimit të studimeve, në vitin 1973, në vendkërkimet për zbulimin e kromit dhe mineraleve të tjera në Tropojë.
Janë pikërisht vitet e para të punës ato që i kujtojnë sukseset në zbulimin e vendburimeve të kromit.
Nga Kami, kërkimet u zgjeruan më tej, duke përfshirë gradualisht të gjithë territorin e Tropojës.
Kukësi, Hasi dhe Tropoja njihen për pasuritë e tyre të mëdha nëntokësore, veçanërisht për rezervat e kromit dhe mineraleve të tjera.
Me kujtesën e një njeriu që i ka studiuar nga afër, inxhinier Neziri sjell në detaje shifrat, rezervat dhe llojet e mineraleve që fshihen në nëntokën e këtyre zonave.
Për ekonominë shqiptare, kromi ka qenë një prej pasurive minerare më të rëndësishme.
Edhe vendburimet e mbyllura kanë pasur ende çfarë të tregonin. Rivlerësimi i tyre, sipas inxhinierit, nxori në pah rezerva të konsiderueshme mineralesh.
Por rrugëtimi i Nezir Mekshiqit nuk është kufizuar vetëm në ekspeditat gjeologjike. Krahas punës në terren, ai i është kushtuar edhe kërkimit shkencor, pedagogjisë universitare dhe punës në institucionet e gjeoshkencës.
Një tjetër pasqyrë e këtij rrugëtimi është biblioteka e tij. Në studion ku punon, mes librave spikasin edhe emra të mëdhenj të historisë dhe kulturës botërore.
Vetë ai i është bashkuar kësaj biblioteke me botimet e tij, përmes disa monografive, mes tyre edhe vepra kushtuar Tropojës.
Një tjetër bibliotekë e pret në Tiranë, qytetin ku jeton prej dy dekadash. Në tryezën e punës ka vendosur disa prej botimeve të tij më të veçanta, ndërsa dëshira është që pasioni për dijen dhe leximin të mos mbetet vetëm pjesë e brezit të tij, por të përcillet edhe te brezat që vijnë.
Rrugëtimi i gjatë në shkencë dhe kontributi i tij për Tropojën u vlerësuan së fundmi edhe nga Këshilli i Bashkisë, që e nderoi Nezir Mekshiqin me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës”.

