Prej 30 vitesh, Gjela Ndoj jeton në fshatin Shëndëlli, pranë Butrintit. Në fillim, rruga e saj drejt parkut arkeologjik nuk kishte lidhje me artizanatin. Ajo nisi të punojë në kompanitë e gërmimeve, ndërsa më pas, bashkë me të shoqin, u përfshi në punët arkeologjike në Butrint.
Gjela kujton ditët kur punonte si punëtore, duke mbushur dhe zbrazur karrocat me dhe. Por puna e saj ndryshoi kur nisën të zbuloheshin mozaikët. Arkeologët u tregonin punëtorëve figurat dhe simbolet që shfaqeshin në të, duke u treguar edhe kuptimin e tyre.
Në vitin 2002, zbulimi i mozaikut do të sillte një tjetër kthesë në jetën e saj. Sipas Gjelës, mozaiku zbulohet periodikisht për shkak të ujit që del në sipërfaqe dhe, për ta mbrojtur, mbulohet sërish me materiale mbrojtëse.
Ajo kujton se pikërisht nga ato ditë nisi edhe lidhja e saj me simbolet e mozaikut. Me kalimin e viteve, familja i ktheu këto motive në punime artizanale, duke i realizuar në gur, qeramikë e porcelan.
Sot, punimet janë një aktivitet familjar. Simbolet e mozaikut realizohen tërësisht me dorë nga djali dhe nusja e saj, të trajnuar për punime artizanale. Nga figurat e mozaikut deri te magnetet dhe objektet dekorative, secila prej tyre mbart një pjesë të historisë së Butrintit.
Mes motiveve që kanë zgjedhur të sjellin në punimet e tyre janë edhe fazanët, degët e rrushit dhe simbole të tjera të mozaikut.
Por Gjela nuk është vetëm artizane. Ajo vazhdon të krijojë edhe punime tradicionale, si papuçet prej leshi, të cilat, thotë, kanë tërhequr veçanërisht turistët e huaj.
Për 30 vite, Gjela ka qenë dëshmitare e ndryshimeve në Butrint. Ajo e ka njohur parkun fillimisht përmes gërmimeve dhe punës së vështirë fizike, më pas përmes historive që arkeologët u tregonin për zbulimet, ndërsa sot e përcjell atë histori përmes punimeve që dalin nga duart e familjes së saj.
Simbolet e mozaikut, që dikur i shihte të dilnin nga toka gjatë gërmimeve, sot janë kthyer në objekte që vizitorët i marrin me vete si kujtim nga Butrinti.

