Kryeministri australian Anthony Albanese ka bërë të ditur se një agjent i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga OpenAI ka aksesuar informacione publike dhe jopublike në një faqe interneti të qeverisë australiane. Sipas kronologjisë së incidentit, agjenti ka kryer aksesin më 18 qershor.
OpenAI e identifikoi rastin gjatë një shqyrtimi më të gjerë të asaj që kompania e përshkroi si “aktivitet të modelit të keqorientuar”. Më 10 shtator, OpenAI i dërgoi një njoftim Services Australia-s, qendrës federale që ofron shërbime të përgjithshme për qytetarët. Pesë ditë më vonë, më 15 shtator, autoritetet australiane e raportuan incidentin te Australian Cyber Security Centre.
Brenda pak ditësh u informua edhe ministrja australiane për Shërbimin Publik, Katy Gallagher. Zyra e kryeministrit Albanese u vu në dijeni për incidentin gjatë fundjavës së 19–20 shtatorit, pak para nisjes së kryeministrit drejt Nju Jorkut për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Më 23 shtator, Albanese e bëri publik incidentin nga Nju Jorku. Kryeministri australian tha se autoritetet janë gjithashtu në dijeni të tre sistemeve të tjera që mund të jenë prekur.
Sipas Albanese, ato përfshijnë: Institutin Australian të Shëndetit dhe Mirëqenies; Byronë Australiane të Statistikave dhe Kërkimeve të Krimit të Uellsit të Ri Jugor; Departamentin e Shëndetësisë të Viktorias. Albanese tha se kishte komunikuar me kryeministrat e Viktorias dhe Uellsit të Ri Jugor, Ben Carroll dhe Chris Minns, të cilët do të merrnin informacione të plota nga autoritetet e sigurisë kibernetike.

