Dinamo ka nisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit dhe synimi është shpëtimi prej rënies nga Kategoria e Parë. Trajner Cammarata dhe stafi i tij presin përforcime, ndërkohë që për momentin grupi i lojtarëve është i cunguar.
Te Dinamo, veçse për përforcimet në ekip, po mendojnë dhe për ndërtimin e një klubi model dhe që u kushton vëmendje të rinjve. Për këtë arsye ata kanë zgjedhur një italian për të organizuar akademinë.
“Shumë shpejt do të mbërrijë në kryeqytet Giulio Lucarelli, i cili do të mbajë postin e Drejtorit për sektorin e të rinjve. Lucarelli është emër i vjetër i shkollës italiane, ku kryesisht ka punuar në sektorin e të rinjve me disa klube, ndërsa në sy bie puna e tij tek akademia e Romës.
Që prej ditës së parë, një prej objektivave të drejtuesve të rinj, z.Pontrelli në veçanti, ishte ringritja e akademisë dhe me ardhjen e Lucarelli-t në detyrë, do të punohet me qëllimin që Dinamo të rikthehet të jetë sërish një shkollë futbolli në vend”, njofton klubi dinamovit. /abcnews.al

