Analisti Martin Leka thotë se përgjegjësia është individuale, teksa iu referua rastit të drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, për të cilën SPAK kërkon pezullim nga detyra dhe arrest shtëpiak lidhur me dosjen “AKSHI”.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Leka u shpreh se SPAK duhet të ketë prova, pasi në të kundërt, do jetë autogol për sistemin e drejtësisë.
“Përgjegjësia është individuale për çdo njeri. Takoj një nga gjyqtarët apo punonjësit më korrekt të drejtësisë, është në pension. Më pyeti, si e mendon këtë që ka ndodhur sot, me kryetaren e SHISH dhe ish drejtuesin e policisë. U gjenda i befasishëm, ta them unë them, kjo nuk duhet të shkonte deri këtu. Është drejt fundit të moralit të një shteti. Të gjitha shtyllat që mbajnë në këmbë shtetin janë ose të akuzuar, ose nën hetim. Shefi i sigurisë kombëtare duhet të jetë me moral të pastër, integritet maksimal, nuk duhet të akuzohet për këto gjëra, e jo më të arrestohet. Vetëm ky fakt, që drejtësia e ka marrë një vendim të tillë, tregon shumë, tregon se duhet të ketë prova. Në të kundërt, do jetë autogol për drejtësinë e re”, theksoi ai./abcnews.al

