Llapi ka zyrtarizuar një afrim një ditë më parë dhe bëhet fjalë për portierin Giacomo Nava. Shtatlarti, i cili mbush 23 vjeç këtë muaj, ka qenë në të shkuarën pjesë e Italisë U15 dhe lë vendin e tij për një eksperiencë në Ipko Superliga e Kosovës.
Nava ka mbyllur bashkëpunimin me klubin e Rimini. Sivjet ai nuk kishte luajtur asnjë minutë, kurse vjet nga dhjetori në mars ka luajtur 15 takime si titullar. Portieri është produkt i Sampdorias, por ka luajtur në huazim në klube si Lecco dhe Lentigione në kategoritë inferiore në Itali.
Llapi i ka ofruar një marrëveshje të mirë, nga e cila do të përfitojë 3500 euro në muaj. Diçka të tillë e ka zbuluar vetë trajneri Tahir Batatina në një prononcim për “Gazeta Infokus”.
OTTO JOHN – Nigeriani do të largohet nga Skënderbeu dhe do të veshë fanellën e Prishtinës në Kosovë. Më parë sulmuesi ka luajtur për Trepça ’89 dhe ka spikatur. Kjo ka bindur klubin bardhekaltër të bënte një ofertë për shërbimet e Otto John.
Gazeta Sheshi në Dardani raporton se për kartonin e tij do të derdhen në arkat e korçarëve plot 35 mijë euro. Skënderbeu do të mbajë 15 ose 20 për qind të kartonit. Më parë raportohet se për sulmuesin ka bërë një ofertë edhe Drita, por shifra ka qenë 20 mijë euro, dukshëm më e ulët se propozimi i Prishtinës. /abcnews.al