Futbollisti i kombëtares, Eros Grezda, është prezantuar si futbollisti më i ri i skuadrës së Osijek. 24- vjeçari u shpreh i lumtur për rikthimin në kampionatin kroat.
Marrëveshja ishte mbyllur pak ditë më parë, por Eros Grezda është prezantuar si futbollisti më i ri i skuadrës së Osijek ditën e djeshme. Pas një sezoni e gjysmë në hije te skuadra e Rangers, futbollisti i kombëtares vendosi të rikthehej te skuadra ku ka kaluar momentet më të mira në karrierë.
24 vjeçari u transferua me shume bujë në Skoci në verën e vitit 2018, por aventura e tij ishte krejtësisht për t’u harruar. Futbollisti u kërkua me ngulm nga legjenda Stiven Gerard, por karakteri i tij i prishi planet teknikut të Rangers, i cili vendosi ta dërgonte futbollistin në skuadrën e të rinjve. As aty telashet nuk përfunduan.
Tani është pjesë e Osijek dhe në prezantimin para mediave Grezda nuk e fshehu aspak lumturinë për këtë rikthim si dhe zbulon ofertat e skuadrave të tjera. “Kam pasur disa oferta nga Kroacia, por edhe nga shtete të tjera. Janë interesuar për mua edhe klube si Rijeka e Hajduk Split, por vendosa të rikthehem tek Osijek. Jam shumë i lumtur për këtë”, ka thënë mes të tjerash gjakovari.
Drejtuesit e klubit të Osijek besojnë se skuadra ka bërë një goditje fantastike, duke llogaritur edhe termat ekonomike të këtij transferimi. Kujtojmë që Grezda ka humbur vendin edhe në Kombëtaren shqiptare, që kur drejtimin e skuadrës e mori tekniku Reja. Synimi më vete mbetet edhe rikthimi tek kuqezinjtë dhe kjo gjë mund të ndodhë, nëse rikthehet të luajë si më parë. /abcnews.al