Serdar Dalyan është shtetas turk, por prej 20 vitesh Shqipëria është vendi ku ka zgjedhur të ndërtojë jetën.
20 vite më parë erdhi në Shqipëri me sugjerimin e disa miqve, pa e menduar se do të qëndronte gjatë. Nuk dinte gjuhën, nuk njihte vendin dhe as nuk e imagjinonte se Shqipëria do të bëhej pjesë e jetës së tij.
“Kam ardhur me sugjerimin e shokëve. S’kisha idenë… Kisha dëgjuar që ishte kohë e vështirë atëherë. Erdha, por më ka pëlqyer dhe kam qëndruar.”
Fillimet nuk ishin të lehta. Më e vështira ishte gjuha. Por në një vend të panjohur, Serdari thotë se gjeti diçka që e ndihmoi të përshtatej.
“Në fillim e kisha të vështirë me gjuhën, por njerëzit ishin shumë mikpritës, e kam pasur shumë të vështirë të mësoj fjalën garuzhde…”
Dhe vetëm tre vite pas mbërritjes në Shqipëri, jeta e tij mori një tjetër drejtim. U njoh me bashkëshorten e ardhshme shqiptare.
Ajo që nisi si një qëndrim pa afat, u kthye në një histori 20-vjeçare dashurie, familjeje dhe një jete të ndërtuar bashkë.
“Në fillim fare nuk mendova se do të qëndroj kaq gjatë, por fati deshi. Njoha bashkëshorten, kemi krijuar një familje.”
“Fëmijët janë rritur me frymën e shqiptarëve. Me shkollimin, kulturën…”
Por Shqipëria nuk i dha vetëm familjen. Mekanik që prej moshës 13 vjeçare, ai nisi fillimisht një servis makinash dhe prej rreth 10 vitesh ka biznesin e tij në Shqipëri.
“Që 13 vjeç kam nisur të merrem me këtë profesion, pra si mekanik. E kam më shumë pasion. Kam ardhur 22-23 vjeç, isha mjeshtër në atë kohë…..”
Në këtë rrugëtim, Serdari thotë se ka gjetur mbështetje edhe nga familja e bashkëshortes, duke u ndjerë i pranuar jo thjesht si një dhëndër turk, por si pjesë e familjes.
“Si dhëndër turk më kanë mbështetur dhe më kanë ofruar ndihmë, financiare, morale dhe çdo gjë tjetër. I dua shumë prindërit e bashkëshortes, por edhe ata mua.”
Treguesi më i fortë se sa është integruar në këtë vend është ai që mban sot në duar: pasaportën shqiptare. Serdari thotë se kudo që udhëton prezantohet si shqiptar.
“Kam marrë shtetësinë shqiptare. Kudo ku kam shkuar, kam ikur me pasaportë shqiptare. Prezantohem si shqiptar. E dua edhe Turqinë, por edhe Shqipërinë.”
20 vite më pas, vendi ku erdhi pa e ditur nëse do të qëndronte është vendi ku ka familjen, shtëpinë dhe biznesin e tij. Kthimin e tij në Turqi, Serdar nuk e sheh më si alternativë.

