TIRANË- Avokati i njohur, Idajet Beqiri, i ftuar në “Ora e Njëmbëdhjetë” u shpreh se qëllimi Serbisë dhe Rusisë ka qenë që katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënoheshin për krime kundër njerëzimit, dëshirë kjo e tyre, e cila u rrëzua nga Gjykata Speciale.
Ai theksoi se qëllimi i Moskës dhe Beogradit ishte që të shpallej UÇK-ja si “organizatë terroriste”.
“Qëllimi i tyre i Rusisë dhe i Serbisë ishte që të njollosej UÇK dhe lufta që ajo bëri kundër Serbisë për të fituar lirinë dhe pavarësinë Kosova. Ata donin që ta konsideronin UÇK, një organizatë terroriste, që ka bërë krime lufte dhe krime kundër njerizimit dhe të shpallej si e tillë dhe me dënimin a katër krerëve.
Vendimi i speciales ka sqaruar një gjë: I ka dënuar katër udhëheqësit, por nuk i ka dënuar për krime kundër njerëzimit dhe kjo e përjashton UÇK nga krimet e luftës dhe lufta e saj konsiderohet e drejtë dhe këtë qëndrim kanë mbajtur SHBA dhe vendet e tjera të BE”, tha ai.
Ai pohoi se vendimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit duhet të hidhet poshtë me çdo kusht nga Apeli. Avokati u shpreh se Dhoma e Specializuar duhet zhbërë, ndërsa propozoi rrugët që sipas tij do të ndihmonin për ta arritur këtë qëllim.
“Vendimi duhet patjetër të hidhet poshtë. Në këtë rast po dënohen viktimat dhe jo agresorët. Duhet të gjenden rrugët për të zhbërë këtë Dhomë Speciale. Nuk mund ta bëjë vetëm parlamenti i Kosovës.
Ajo bëhet me dy rrugë, të cilat do ecin paralelisht, me njëra tjetrën, që parlamenti i Kosovës të bëjë të vetën, por duhet një ndërtim dosje të plotë për të nxjerrë që Dhoma Speciale i ka tejkaluar kompetencat dhe qëllimin që i ka dhënë ligji faktorit ndërkombëtar. Vetëm Këshilli i Evropës e zhbën përfundimisht këtë gjykatë.”, tha ai.
Gjatë diskutimit në studio, Beqiri pohoi se Sali Berisha është arkitekt i shkatërrimit të vendit, ndërsa shtoi se ai ka nxitur përhapjen e frymës antiamerikane në Shqipëri. Ai deklaroi se kryetari i PD, Sali Berisha ka paguar 100 milionë dollarë për të marrë vizën amerikane.
“Berisha është arkitekt i shkatërrimit të vendit. Ai ka nxitur frymë antiamerikane në Shqipëri dhe vazhdon të jetë “non grata”. 100 milionë dollarë i vajti ajo vizë atij”, tha ai./abcnews.al

