ELBASAN– Në Elbasan, mjeshtër të artizanatit nga qytete të ndryshme të Shqipërisë janë mbledhur për të treguar punën që vazhdon të bëhet me dorë, ashtu si dikur.
Sixhadet, mbulesat, veshjet tradicionale dhe punimet dekorative të drurit sjellin në qendër të qytetit një pjesë të kulturës shqiptare.
Pas këtyre punimeve fshihen orë të tëra pune dhe një zanat që në shumë raste është mësuar brenda familjes. Por jo të gjitha këto mjeshtëri po kalojnë lehtë nga një brez tek tjetri. Kjo duket veçanërisht te punimet e drurit.
Mjeshtrit që vazhdojnë ta ushtrojnë këtë zanat janë gjithnjë e më të paktë, ndërsa edhe interesi për të po ndryshon.
Punime të këtij lloji iu bëjnë veçanërisht përshtypje turistëve.
Për shumë prej tyre, një veshje tradicionale, një sixhade apo një objekt i punuar me dorë është një mënyrë për të marrë me vete diçka që lidhet me vendin që kanë vizituar.
Pikërisht për këtë arsye, panairet po përdoren gjithnjë e më shumë si një hapësirë ku artizanët mund të prezantojnë punën e tyre dhe traditat të mbeten pjesë e jetës së qytetit.
Në Elbasan, kjo është kthyer tashmë në një traditë. Një traditë që këtë herë nuk ekspozohet vetëm në stenda, por përmes njerëzve që vazhdojnë ta punojnë çdo ditë./abcnews.al

