E tillë historia e një njeriu.
Lind, rritet me ëndrra të mëdha e ndodh të kthehet në një legjendë që e adhurojnë miliona, por cikli mbyllet në fund.
Një cikël i jashtëzakonshëm është mbyllur këtë 19 shtator 2026 për ish-kapitenin e madh të Interit, dhe italianin e famshëm, Sandro Mazzola.
Djali i ish-numrit 10 të Torinos dhe të Italisë, të ndjerit Valentino Mazzola, mbylli sytë në moshën 83-vjeçare në Milano, ndërsa ishte lindur në 1942 në Torino.
Lajmin e dhanë edhe klubi i tij i jetës, Interi, me mesazhin e ngushëllimit në rrjetet sociale, por edhe Federata Italiane e Futbollit, që gjithashtu mbajti zi për personalitetin e madh.
Sandro Mazzola ishte një nga ata lojtarë që e kaluan gjithë jetën me një fanellë të vetme, atë zikaltër, me të cilën fitoi dy Kupa të Kampionëve, sot Champions, në 1964 e 1965, dy Kupa Interkontinentale, 4 tituj në Serinë A, si dhe Këpucën e Artë të kampionatit italian në 1965.
Me Italinë fitoi Kampionatin Europian në 1968, pas dy finaleve në “Olimpiko” të Romës ndaj Jugosllavisë, e pasi u kualifikua në gjysmëfinale vetëm falë hedhjes së monedhës ndaj Bashkimit Sovjetik.
Në 1970, Italia e Sandro Macolës arriti finalen e Kupës së Botës, pasi fitoi ndeshjen e shekullit kundër Gjermanisë, por u mund 4-1 nga Brazili i madh i Pelesë.
Për Interin, luajti mbi 560 ndeshje, duke shënuar mbi 160 gola, ndërsa për kombëtaren italiane e veshi fanelen e kaltër 70 herë, me 22 rrjeta.
Pasi i dha fund me futbollin e luajtur, ai ishte drejtues interist për disa vite, si dhe komentator sportiv në dy Kupat e Botës të fituara nga Italia në 1982 e 2006.

