Shqipëria vijon të regjistrojë shifra në rritje sa i përket fluksit të vizitorëve të huaj.
Mbi 9.4 milionë turistë kanë vizituar vendin gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, shifër që tregon një rritje prej 5.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm muaji gusht ka sjellë mbi 2.4 milionë vizitorë të huaj, duke konfirmuar rëndësinë e sezonit veror për industrinë turistike shqiptare por edhe për ekonominë në tërësi.
Shifrat zyrtare të Ministrisë së Turizmit e cilësojnë këtë ecuri si një tregues të konsolidimit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të turizmit.
Fluksi më i madh i turistëve vijon të jetë nga vendet europiane, duke reflektuar interesin në rritje për Shqipërinë si destinacion turistik në rajon.
Por përtej numrit të turistëve, fokusi tashmë është te mënyra se si kjo rritje do të përkthehet në zhvillim ekonomik dhe përfitime konkrete për komunitetet.
Synim tashmë mbetet që Shqipëria të ketë një turizëm më të shtrirë përgjatë gjithë vitit, duke krijuar më shumë mundësi punësimi dhe duke forcuar ekonomitë lokale.
/abcnews.al/

