Aventura e Rolando Maran në kombëtaren e Shqipërisë nuk nisi siç duhet. Por dy humbjet në miqësoret e qershorit kundër Izraelit dhe Luksemburgut nuk mund t’i faturohen teknikut italian, i cili zbriti në fushë vetëm vetëm pak ditë pasi u prezantua si pasardhësi i Sylvinho.
Pa njohuritë e duhura për skuadrën kuqezi dhe me një grup lojtarësh të trashëguar nga listat e paraardhësit e tij dhe mbi të gjitah të demotivuar pas play off të “Botërorit 2026”, Maran e kishte të vështirë të bënte diçka më shumë.
Por me rikthimin në fushë për sfidat në Ligën e Kombeve, mbarojnë edhe “bonuset” e trajnerit të kombëtares. Maran ka patur kohën e duhur në dispozicion për të bërë zgjedhjet e tij dhe lista e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e para zyrtare janë eksluzivisht të tija.
Përveç emrave, trajneri italian duhet të tregojë Shqipërinë e tij në lojë dhe rezultate, sidomos në rezultate. Liga e Kombeve mund të duket një turne i lehtë, ashtu si rivalët me të cilët do të përballet skuadra kuqezi nga fundi i shtatorit deri në fillim të tetorit, por në të vërtetë nuk është aspak kështu, aq më tepër që objektivi për vendin e parë në grup është vendosur.
Për këtë arsye, marzhi i tolerancës në rast të një rezultati negativ është shumë i vogël.
Ajo që pritet të jetë kombëtarja e vërtetë e Rolando Maran do të debutojë më 26 shtator në “Air Albania” kundër Bjellorusisë. Më pas skuadra kuqezi ka në program edhe tre ndeshje të tjera deri në 6 tetor kundër San Marinos dhe Finlandës në transfertë dhe sërish kundër San Marinos në shtëpi./abcnews.al

