Bashkimi Europian po shikon drejt Kanadasë si një partner të rëndësishëm strategjik dhe ekonomik, në një kohë kur marrëdhëniet me disa prej fuqive të mëdha po përballen me pasiguri.
Eksperti Andi Hoxhaj, në një intervistë për “Faqja 4”, thekson se Kanadaja ndan me BE-në vlera demokratike dhe ofron potencial të rëndësishëm në ekonomi, arsim dhe teknologji.
Sipas tij, forcimi i bashkëpunimit mes palëve mund t’i shërbejë interesave të të dyja palëve, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe gjeopolitikës. Hoxhaj vlerëson gjithashtu se Kanadaja ka qenë mbështetëse e politikave dhe orientimit gjeopolitik të BE-së.
“Kanadaja ishte duke negociuar me një marrëveshje tjetër me BE. Kanadaja ka marrëveshje të shumta me BE. Është një vend që i ka të gjitha traditat ekonomike. BE ka nevojë për partnerë që shikojnë dhe kanë të njëjtat vlera demokratike.
Kanadaja është shumë më përpara sa i përket arsimit apo edhe zhvillimit teknologjik, sidomos në teknologjinë e armëve. Kanadaja nga an tjetër ka nevojë që të ketë një partner shumë të arsyeshëm, sa i takon tregtisë.
SHBA, Kina, Rusia dhe disa superfuqi të tjera, nuk duket që të jenë më partnerë të besueshëm dhe të qëndrueshëm. Kanadaja, Australia apo edhe Zelanda e Re është diçka që atyre iu pëlqen. Kanadaja ka mbështetur gjeopolitikën e BE”, tha eksperti.

