Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Studiuesi i AI-së jep alarmin: Nëse nuk ngadalësojmë zhvillimin, mund të vdesim të gjithë

schedule08:25 - 13 Shtator, 2026

schedule 08:25 - 13 Shtator, 2026

Një ish-studiues i kompanive Anthropic dhe OpenAI ka paralajmëruar për rreziqet që mund të sjellë zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale, duke thënë se vetë njerëzit që punojnë në këtë fushë janë “genuinely të frikësuar” nga ritmi i përparimit të teknologjisë.

Jacob Coxon, 27 vjeç, i cili më parë ka punuar në OpenAI dhe më pas në Anthropic, u largua nga kompania duke publikuar një mesazh që u bë viral në rrjetet sociale.

Në një intervistë për BBC-në, Coxon tha se ekziston një mundësi serioze që përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale të sjellë pasoja katastrofike për njerëzimin.

“Besoj se, nëse nuk e ngadalësojmë ritmin aktual të përparimit, ekziston një mundësi e madhe që të gjithë ne të vdesim në të ardhmen e afërt”, deklaroi ai.

Sipas tij, shqetësimi nuk është vetëm i disa individëve, por i një pjese të njerëzve që punojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e këtyre teknologjive.

“Punonjësit e këtyre kompanive janë plotësisht seriozë kur kërkojnë rregullim, sepse e gjejnë veten të bllokuar në një garë. Dhe ata kanë frikë nga pasojat e kësaj gare”, tha Coxon.

Një prej skenarëve më shqetësues lidhet me mundësinë që sisteme të shumta të inteligjencës artificiale të bashkëpunojnë dhe të fitojnë një nivel të jashtëzakonshëm kontrolli mbi internetin dhe sistemet kompjuterike.

Coxon tha se një skenar i tillë mund të bëhet realitet shumë më shpejt nga sa mendohet, madje brenda gjashtë muajve deri në një vit.

Ai shtoi se disa punonjës të kompanive të AI-së po mendojnë seriozisht për ndikimin që mund të ketë kjo teknologji në jetën e tyre.

Sipas tij, disa prej tyre madje po konsiderojnë të blejnë tokë në zona të izoluara, nga frika e paqëndrueshmërisë që mund të shkaktojë zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale.

“E gjithë këtë e mbajnë në mendje çdo ditë, ndërsa punojnë me këtë teknologji”, tha ai.

Paralajmërimet e Coxon vijnë në një periudhë kur edhe drejtues të rëndësishëm të industrisë po kërkojnë më shumë kujdes.

Dario Amodei, drejtuesi i Anthropic, ka argumentuar se zhvillimi i AI-së duhet të ngadalësohet për t’u dhënë kompanive dhe qeverive kohë për të adresuar rreziqet.

Edhe Sam Altman i OpenAI dhe Elon Musk kanë shprehur mbështetje për idenë e rregullimit dhe monitorimit të pavarur të modeleve të fuqishme të inteligjencës artificiale.

Megjithatë, jo të gjithë janë dakord me paralajmërimet më ekstreme.

Jensen Huang, drejtuesi i Nvidia-s, ka hedhur poshtë më parë idenë se AI mund të shënojë “fundin e njerëzimit”, duke e cilësuar një skenar të tillë si “krejtësisht të pakuptimtë”.

Edhe Clement Delangue, drejtuesi i Hugging Face, ka vënë në pikëpyetje deklaratat e Coxon, duke argumentuar se pikëpamjet e tij duhen parë në kontekstin e faktit se ai ka punuar pikërisht në industrinë që po paralajmëron.

Anthropic, në reagimin e saj për BBC-në, tha se ka qenë gjithmonë transparente për faktin se inteligjenca artificiale do të sjellë njëkohësisht përfitime të mëdha dhe rreziqe të paprecedenta.

Kompania deklaroi se vazhdon të zhvillojë modele me masa të forta sigurie dhe se i teston ato në mënyrë intensive për të identifikuar rreziqet e mundshme.

Pavarësisht debateve, Coxon nuk e sheh inteligjencën artificiale vetëm në mënyrë negative.

Ai tha se studiuesit e kësaj teknologjie “vërtet duan të shohin anën pozitive” të saj, përfshirë mundësinë për të ndihmuar në kurimin e sëmundjeve dhe përmirësimin e jetës së njerëzve.

Por paralajmërimi i tij mbetet i qartë: sipas Coxon, nëse industria vazhdon me të njëjtin ritëm pa vendosur mekanizma të fortë kontrolli dhe rregullimi, pasojat mund të jenë të paparashikueshme.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!