Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kosova pret Hashim Thaçin/ Protestë masive në Prishtinë, tre ditë para vendimit në Hagë

schedule14:04 - 12 Shtator, 2026

schedule 14:04 - 12 Shtator, 2026

Shqipëria dhe diaspora janë bërë bashkë sot në Prishtinë, në “Marshin për Liri”, tubim në mbështetje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej nëntorit të vitit 2020 ndodhen në paraburgim në Hagë.

Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu”, pas thirrjes së platformës “Liria Ka Emër”, në prag të aktgjykimit të Gjykatës Speciale, i cili pritet më 16 shtator.

Para mijëra të pranishmëve foli edhe organizatorja e marshimit, Eliza Hoxha, e cila e lidhi protestën e sotme me një tjetër marshim të UÇK-së, 27 vite më parë.



“Shtatori i vitit 1999 e gjeti Kosovën me rrugë të mbushura me ushtarë të UÇK-së. Pas demilitarizimit të UÇK-së, ata marshuan në çdo qytetet të Kosovës në mënyrë simbolike, për të festuar lirinë për qytetarët, dhe për t’u bashkuar më pas në Prishtinë me një mesazh të vetëm: Kosova ishte e lirë, amaneti ishte në vendin e vet dhe ditë të bardha e të mira do të ishin përpara nesh”. Ai marsh quhej ‘Marshi i Lirisë’, dhe si për ironi, sot, 27 vjet më vonë, populli i Kosovës sot marshon për liri, marshon për liri në liri, marshon për lirinë e atyre që e sollën lirinë tonë, marshon për lirinë e çlirimtarëve të vet.”

Në marshim morën pjesë edhe veteranë të UÇK-së. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, kërkoi një proces të paanshëm dhe drejtësi.

“Ishin aletatët tanë në ditët më të vështira kur populli luftonte për mbijetesë. Ne kërkojmë drejtësi jo që historia e kombit tonë të rishkruhet”,

Mesazhe të forta pati edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i cili tha se ish-krerët e UÇK-së do të priten të lirë, ashtu siç, sipas tij, është sot Kosova.

“Sot i flasim gjithë botës, i flasim njëri-tjetrit, miqve edhe armiqve, e sot armiqve po u flet populli i lirë i Kosovës: liri! Gjithkujt mund t’i flasim ndryshe por diçka e kuptojnë të gjithë: a e dini kundër kujt kanë luftuar këta, UÇK, 4 burra që sot s’janë të lirë por do të jenë të lirë se ne jemi të lirë? Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbushur kamionët frigoriferë me trupa të bashkëqytetarëve tanë, kanë luftuar kundër atyre që kanë dhunuar me mijëra gra, kundër atyre që me 4 dhjetor 1998 kanë vrarë fëmijët e vet për të na akuzuar neve! Si mund të ketë faj një popull, njerëz që e kanë marrë pushkën për liri? Çdokush që ka kapur pushkën për të luftuar për vendin e vet, meriton t’i ngresh kapelën. Ne jemi të lirë, do t’i presim të lirë. Kurrkush s’do ta ndotë tregimin tonë për liri!”, 

Në marshim ishte edhe Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani. Ajo tha se në Hagë po gjykohet një nga pjesët më të ndjeshme të historisë së Kosovës dhe se po tentohet të ndryshohet e vërteta.

Më 15 dhe 16 shtator pritet të zhvillohet edhe “Nata e Pritjes” në Hagë. Rreth 50 veteranë kanë njoftuar se do të udhëtojnë drejt Holandës për të qenë pranë ish-krerëve të UÇK-së në prag të vendimit.

Që prej nëntorit të vitit 2020, 4 ish-krerët e UÇK qëndrojnë të izoluar në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!