Më 11 shtator, një datë që prej 25 vitesh mbart dhimbjen dhe kujtesën e një prej tragjedive më të mëdha të kohëve moderne, muzika do të kthehet në një mesazh paqeje. Në orën 19:00, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të mbahet koncerti “Requiem for the Living”, një mbrëmje kushtuar kujtesës, jetës dhe shpresës.
I frymëzuar nga vepra me të njëjtin emër e kompozitorit amerikan Dan Forrest, koncerti nuk ndalet vetëm te dhimbja dhe humbja, por kërkon të flasë për dritën që mund të gjendet edhe në momentet më të vështira.
Në skenë do të bashkohen Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe pesë solistë të njohur shqiptarë: Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Ramona Tullumani, Eklant Hasa dhe Flaka Goranci.
Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Bujar Llapaj, ndërsa drejtuesi i Orkestrës së Forcave të Armatosura, Artur Kardhashi, sjell një tjetër dimension të kësaj mbrëmjeje. Për Flaka Gorancin, mezosopranon me një karrierë ndërkombëtare, kjo është një mbrëmje ku arti merr një kuptim më të thellë se vetë skena.
E nominuar për tre çmime “Opus Klassik”, Flaka ka ndërtuar një profil artistik që shkon përtej interpretimit vokal. Ajo ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe është diplomuar në master në Buchmann-Mehta School of Music në Tel Aviv. Ka interpretuar role të rëndësishme operistike, ka debutuar në Austri dhe së fundmi është angazhuar edhe si regjisore, skenografe dhe kostumografe në produksione operistike.
Por më 11 shtator, të gjitha këto përvoja bashkohen në një skenë me një qëllim të vetëm: të kujtojmë ata që humbën jetën dhe të mos harrojmë vlerën e paqes. Sepse ka mbrëmje që nuk janë thjesht koncerte. Janë momente për të ndaluar, për të kujtuar dhe për të dëgjuar atë që muzika di ta thotë më mirë se fjalët. “Requiem for the Living” është një homazh për viktimat, por edhe një thirrje për jetën, dashurinë, dialogun dhe paqen./abcnews.al

