Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi është zyrtarisht person nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
I shoqëruar nga avokati Sokol Mëngjesi, Luan Baçi qëndroi këtë të premte 40 minuta në SPAK, për shkak se u thirr për tu marrë në pyetje me statusin e personit nën hetim.
Megjithatë, Baçi nuk dha sqarime për agjentët e BKH, duke i kërkuar të paraqitet një ditë tjetër. Prokuroria e Posaçme po kryen verifikime për deputetin demokrat për konsumimin e dy veprave penale “pastrim parash” dhe “fshehje e mosdeklarim pasurie”.
Baçi u kallëzua në vitin 2024 në SPAK nga ish ortaku i tij Aredin Behari, i cili i ka vënë në dispozicion prokurorisë 48 dokumente dhe i kërkon të hë hetojë demokratin për 2 vepra penale.
Ai është paditur se ka pastruar dhe fshehur një shumë prej 1.5 milionë eurosh. Gjatë viteve 2010-2012, Luan Baçi ka hedhur rreth 1.5 milionë euro në kompaninë private ‘Geral AM’, para të cilat nuk u dihet burimi dhe nuk janë deklaruar në ILDKPKI.
Më herët, deputeti është marrë në pyetje dy herë në vitin 2024 si person në dijeni, ndërsa tashmë do të pyetet si person nën hetim.
Në përfundim të të gjithë veprimeve hetimore do shihet në rast se SPAK do i komunikojë apo jo zyrtarisht akuzë Luan Baçit.

