Një mjek gjatë ditës dhe një DJ që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën ndërkombëtare të muzikës. Kjo është historia e veçantë e David Shahollit, korçarit që jeton në Itali dhe që ka arritur të ndërtojë një karrierë të pazakontë mes mjekësisë dhe muzikës. Në vitin 1991, babai i tij u nis drejt Italisë për disa projekte artistike. David ishte vetëm dy vjeç e gjysmë kur familja shkoi fillimisht si turistë, por më pas vendosi të qëndronte atje.
Edhe pse u rrit në Itali, lidhjen me Shqipërinë nuk e humbi kurrë. Shqipërishten e mësoi vetë në shtëpi dhe sot e konsideron një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij.
Studimet e tij fillimisht morën një drejtim krejt tjetër. David studioi për gjashtë vite Mjekësi të Përgjithshme dhe më pas u specializua si mjek i punës. Përditshmëria e tij lidhej me vizitat dhe kontrollet e punonjësve në ndërmarrje të ndryshme. Ishte i kënaqur me profesionin, por brenda vetes ndiente se diçka mungonte.
Dhe atë që nuk po e gjente në mjekësi, nisi ta kërkonte në muzikë. Pa pasur asnjë minutë studime muzikore, David vendosi të provojë diçka që e kishte dashur prej kohësh: ritmet latino.
Adhuronte muzikën latine dhe veçanërisht bachata-n. Shkonte në klubet ku kërcehej kjo muzikë dhe një ditë vendosi të krijonte vetë një këngë që njerëzit mund ta kërcenin. Ishte vetëm fillimi.
Projekti i parë pati sukses dhe ajo që nisi si një pasion do të kthehej gradualisht në një karrierë ndërkombëtare. Sot muzika e David Shahollit numëron rreth 350 milionë dëgjime në Spotify, ndërsa në Facebook ai ka ndërtuar një komunitet prej rreth 1.4 milionë ndjekësish.
Ai është bërë i njohur edhe për remix-et e hiteve ndërkombëtare, mes tyre “You Broke Me First”, si edhe për bashkëpunimet me artistë të njohur, duke i sjellë këngët pop në versione të veçanta me ritmet e bachata-s. Nga stetoskopi te mikseri i DJ-it, David ka zgjedhur të mos heqë dorë nga asnjëra prej pasioneve të tij.
Por muzika nuk është e vetmja anë e panjohur e tij. Ai është gjithashtu aktiv në podcast, ku flet për jetën, eksperiencat personale, kulturën dhe Shqipërinë, duke u përpjekur të mbajë gjallë lidhjen me vendin e origjinës. Në një tjetër formë arti, David merret edhe me karikatura. Krijon ilustrime me tematika humoristike, të cilat më pas i shet me çmime të përballueshme. Një jetë mes stetoskopit, mikserit, podcastit dhe lapsit të karikaturistit. Historia e David Shahollit tregon se ndonjëherë profesioni që studion nuk është domosdoshmërisht rruga e vetme që mund të ndjekësh. Sepse pas mjekut fshihej një artist. Dhe pas një pasioni për bachata-n fshihej një histori suksesi që sot dëgjohet në miliona pajisje në mbarë botën./abcnews.al

