Mbledhja e Kryetarëve ka kërkuar procedimin e menjëhershëm të pagave të administratës gjyqësore, si dhe zhbllokimin dhe pagesën e pagave të gjyqtarëve, në përputhje me efektet e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.
Në deklaratën e saj, Mbledhja e Kryetarëve kërkon gjithashtu përllogaritjen dhe fillimin e shlyerjes së pagesave të prapambetura, sipas paragrafit 110 të vendimit, si dhe respektimin nga çdo institucion të pavarësisë së gjyqësorit, integritetit të tij institucional dhe autoritetit detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Qëllimi ynë nuk është përplasja ndërmjet pushteteve. Është rivendosja e normalitetit kushtetues. Nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë respektimin e Kushtetutës, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të pavarësisë së gjyqësorit”, thuhet në deklaratë.
Mbledhja e Kryetarëve ka vlerësuar gjithashtu se, përballë seriozitetit të situatës së krijuar, duhet të thirret sa më parë Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë.
Sipas deklaratës, në një moment që prek të gjithë sistemin, gjyqësori duhet të dëgjojë zërin e çdo gjyqtari, të bashkojë qëndrimet mbi parimet themelore që janë në diskutim dhe të flasë me një zë të vetëm në mbrojtje të pavarësisë së tij, integritetit institucional dhe rendit kushtetues.
“Gjyqësori do të vazhdojë të përmbushë detyrën e tij. Institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë të tyren. Zgjidhja nuk mund të shtyhet më: ajo duhet të jetë e menjëhershme, ligjore dhe kushtetuese”, përfundon deklarata.

