SHKODËR – Situata e zjarreve në Qarkun e Shkodrës vijon të mbetet dinamike, ndërsa forcat operacionale kanë punuar gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit për shuarjen e vatrave aktive dhe mbrojtjen e banesave.
Në Bardhaj–Myselim, në Shkodër, zjarri vijon të jetë aktiv në sipërfaqe pyjore. Mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave, në gatishmëri për çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.
Në Bërdicë, ndërhyrja gjatë natës ka bërë të mundur mbrojtjen e banesave dhe vendosjen e zjarrit nën kontroll. Ndërkohë, forcat kanë ndërhyrë edhe në një vatër të raportuar në Shtoj të Ri.
Vatra aktive edhe në Vau Dejës
Në Mnelë të Madhe, në Bashkinë Vau Dejës, zjarri vijon aktiv, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve. Forcat në terren janë të angazhuara kryesisht për mbrojtjen e zonës së banuar.
Një tjetër vatër zjarri është raportuar në Naraç, ku situata po monitorohet nga strukturat e emergjencave.
Pukë, zjarri shtrihet në mbi 10 kilometra
Situata paraqitet problematike edhe në Malin e Tërbunit, në Pukë. Sipas autoriteteve, era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa vija e flakëve shtrihet në mbi 10 kilometra në kurorën pyjore.
Pavarësisht përmasave të vatrës, aktualisht nuk raportohen banesa në rrezik.
Fushë-Arrëz, një vatër e shuar dhe një tjetër aktive
Në Kulumri, zjarri është shuar plotësisht, ndërsa zona vijon të mbahet nën monitorim për të parandaluar ndonjë riaktivizim të mundshëm.
Ndërkohë, në Iballë–Fierzë, zjarri vijon aktiv në një terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e ndërhyrjes nga toka.
Forcat në terren, prioritet mbrojtja e banesave
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar MZSH, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor, Emergjencat Civile dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile.
Prefektura e Qarkut Shkodër vijon koordinimin me strukturat vendore, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera të mbrojtjes civile.
Autoritetet theksojnë se prioritet absolut mbetet mbrojtja e qytetarëve dhe banesave, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për shkak të kushteve dinamike në terren.

