Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 81 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në një kazermë ushtarake në Bolivi. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa shtatë persona rezultojnë ende të zhdukur.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 14:30 sipas kohës lokale të premten, në një bazë ushtarake në Viacha, rreth 30 kilometra nga kryeqyteti La Paz, ku ishte vendosur një regjiment artilerie.
Ministri bolivian i Mbrojtjes, Ernesto Justiniano, tha se shpërthimi u shkaktua nga “material piroteknik”. Ndërkohë, zyrtarja e shëndetësisë Rita Nebraska deklaroi për mediat lokale se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, duke vlerësuar se mund të ketë mes 10 dhe 15 persona të vdekur.
Dhjetëra banesa përreth bazës ushtarake janë dëmtuar nga vala e shpërthimit. Ekipet e emergjencës kanë vijuar kërkimet në rrënoja, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e një shpërthimi të dytë.
Rita Nebraska u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të paktën 150 metra larg bazës ushtarake për shkak të rrezikut të vazhdueshëm.
Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, ka shprehur “solidaritetin e tij më të thellë” me familjet e viktimave dhe të plagosurve. Ai ka deklaruar se do të zhvillohet një hetim “i plotë, teknik dhe transparent” për të përcaktuar shkaqet e incidentit.
Zëdhënësi i policisë, Roger Roca, tha për AFP se fishekzjarrët ishin ruajtur në ambientet e kazermës, ndërsa rrethanat që çuan në shpërthimin e tyre mbeten ende nën hetim.

