Ministri belg i Punëve të Jashtme, Maxime Prevot ka dënuar nderimet e bëra për kriminelin e dënuar serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, në funeralin e tij, duke paralajmëruar se ky veprim e largon edhe më shumë Serbinë nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian (BE).
“E dënoj këtë akt në termat më të ashpër dhe këtë mesazh ia përcolla mëngjesin e sotëm homologut tim serb përgjegjës për çështjet evropiane”, shkroi Prevot në rrjetin social amerikan X.
Ai tha se nderimi i Mlladiçit, i cili u dënua për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, ishte i “turpshëm dhe mungesë respekti” ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Prevot tha se ky akt përfaqëson “një hap që e largon Serbinë nga vlerat themelore të BE-së për respektimin e dinjitetit njerëzor, të drejtave të njeriut dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë”.
Ai paralajmëroi se kjo “shkon në drejtim të kundërt me atë që pritet nga një vend kandidat për anëtarësim në BE”. Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012 dhe zhvillon negociata për anëtarësim me bllokun që nga viti 2014.
Mlladiç, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, u shpall fajtor nga tribunali i OKB-së për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995. Mlladiç vdiq më 27 gusht ndërsa po vuante dënimin në burg në Hagë të Holandës. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ofroi që varrimi i tij të organizohej në Serbi.

