Nga 27 vatra zjarri të raportuara në 24 orët e fundit, Ministria e Mbrojtjes thotë se 3 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.
Vatrat aktive vijojnë në Dajt-Qafë Priskë, Vajkal të Bulqizës, Lundre dhe Mallunxë të Matit.
Në Dajt dhe Qafë Priskë situata vijon të jetë problematike, por pa rrezik për zonat e banuara. Zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura po punojnë për shuarjen e flakëve.
Në Vajkal, ku zjarri ka përshkuar mbi 18 hektarë, po punohet për izolimin e vatrës.
Situata e vështirë paraqitet në Lundre të Matit, ku janë përshkuar nga zjarri rreth 100 hektarë pyll.
Një tjetër vatër aktive është ajo në Mallunxë të Matit, ku zjarri, i riaktivizuar nga era e fortë, e ka orientuar atë drejt fshatrave Mallunxë dhe Lis.
Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut-Vithkuq, në malin e Qukësit në Prrenjas dhe në Iballe-Fushë Arrëz janë nën mbikëqyrje.

