Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Golem të Shkodrës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën dhe një tjetër person ka mbetur i plagosur.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 14:20, kur një automjet është përplasur me një motomjet në të cilin udhëtonin dy persona. Përplasja ka qenë e fortë dhe si pasojë 17-vjeçari ka ndërruar jetë.
Në aksident është plagosur edhe 28-vjeçari Elvis Ndrejaj, i cili është transportuar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku po merr ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për të dokumentuar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar dinamikën e përplasjes. Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. M., 50 vjeç, është shoqëruar në ambientet e Policisë së Shkodrës, ku po kryhen veprimet procedurale lidhur me ngjarjen. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave që çuan në këtë aksident fatal.

