Ndërsa vera u mbyll, ndonëse i nxehti vazhdon, për kombëtaren shqiptare bëhet një pyetje që theksohet gjithnjë e më shumë dhe shqetëson jo pak?
Ku po shkon Shqipëria?
Nga një ekip me nja 11 lojtarë në Serinë A të Italisë, me futbollistë të spikatur në Premier Ligën e Anglisë apo La Ligën e Spanjës, sot nga kjo e kaluar ka mbetur shumë pak.
Shumica e yjeve, dhe jo që të gjithë të vjetër, kanë shkuar drejt Lindjes.
Kristian Asllani e braktisi Interin, edhe pse në huazim, për të luajtur për Al Xhazirën në Katar.
Kapiteni Berat Gjimshiti, një lojtar që luante në Serinë A prej 10 apo 11 vitesh me Atalantën, po ashtu ka zgjedhur të pensionohet në Lindjen e Mesme duke shkuar tek Al Dirija në Ligën Profesioniste Saudite.
Po ashtu, Nedim Bajrami i dha drejtim për t’u larguar nga Europa ku së fundmi ishte në Skoci te Gllazgou Rejnxhërsi, për të vazhduar karrierën në Al Tauun, gjithashtu në Arabinë Saudite.
Ylber Ramadani ndërkaq zgjodhi Turqinë, duke shkuar tek Çorumi në Superligë, e duke braktisur elitën italiane ku luante për Leçen.
Një tjetër lojtar i Serisë A prej shumë vitesh, Elseid Hysaj, ka mbetur pa ekip pasi u largua nga Lacio, dhe nuk do ta ketë të lehtë për të vazhduar profesionin në nivele të kënaqshme, edhe pse është vetëm 32 vjeç.
Armando Broja zbriti nga Premier Liga angleze, ku provoi Çelsin, Sauthemptonin, Fulhamin, Evertonin dhe Bërnlin, e ku shënoi disa gola të veçantë.
Nuk dihet nëse do ta marrë veten në kategorinë e dytë angleze, ndërsa Anis Mehmeti është ngjitur në Premier, por është në dyshim nëse do të mundë të luajë.
Më herët, një tjetër kampionat i madh si La Liga, u braktis nga Myrto Uzuni që ishte hero te Granada, madje Këpucë e Artë në La Ligën e dytë, duke shkuar për një rrogë më të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pra përtej Atlantikut.

