Autori i krimit të trefishtë në Malin e Zi është vetëvrarë. Lajmi u konfirmua nga autoritetet vendase, ndërsa sqarojnë se ai u rrethua nga njësitë speciale të policisë pas arratisjes.
Shtetasi rus, 30-vjeçari Mikhail Shabuni u gjet i fshehur në një pyll, në zonën e quajtur Topla në Herceg Novi. Në momentin e arrestimit autori hapi zjarr mbi forcat e policisë, ndërsa në fund qëlloi veten në kokë.
Shabuni vrau pasditen e djeshme tre burra në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka” në Danilovgrad – njëzet vjeçarin Nemanja Kapor nga Podgorica, bashkëqytetarin e tij 40-vjecar Petar Globarević dhe Momir Radonjić (67 vjeç).
Të tre punonin në poligonin e qitjeje ku Shabunjin kreu masakrën e tij. Sipas mediave vendase vrasësi fillimisht qëlloi disa herë drejt instruktorit në poligonin e qitjes pak para orës 17:00, dhe më pas e qëlloi atë në kokë.
Menjëherë pas kësaj, ai u kthye në zonën e caktuar për dhënien me qira të armëve dhe vrau edhe dy të tjerët. Të shtenave i shpëtoi pronari i poligonit. Një nga dëshmitarët e ngjarjes tha se rusi kishte qëlluar me dy armë njëkohësisht.
Pas krimit, Shabuni vodhi një makinë Seat Cordoba të zezë me targë, me të cilën iku në afërsi të Podgoricës, pasi kishte marrë nga poligoni armë dhe fishekë të tjerë.
Departamenti i Policisë i paralajmëroi zyrtarisht qytetarët se autori i krimit ishte arratisur i armatosur dhe përbënte rrezik, dhe i nxiti ata të qëndronin në shtëpitë e tyre derisa policia të kishte nën kontroll autorin që po kërkonin.
Ndërsa ngjarja është nën hetim për motivet e saj, qeveria e Malit të Zi ka shpallur dy ditë zie kombëtare, ndërsa fillimi i vitit shkollor në rajonin ku ndodhi vrasja do të shtyhet për të enjten/ abcnews.al

