Policia ka zbardhur dhe dokumentuar 4 raste vjedhjeje në Peqin dhe Elbasan, 3 prej të cilave dyshohet se janë kryer gjatë javës së fundit, ndërsa ka identifikuar dhe arrestuar dy persona, të dyshuar si autorë të vjedhjeve.
Sipas Policisë, nga veprimet hetimore dyshohet se dy të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer vjedhje në banesa, biznese dhe automjete në Peqin dhe Elbasan.
Gjatë këtyre rasteve dyshohet se kanë marrë shuma parash dhe sende me vlerë.
Gjatë kontrolleve u sekuestrua një automjet, që dyshohet se përdorej për kryerjen e vjedhjeve, si dhe mjete të ndryshme për hapjen e dyerve, bravave dhe qepenave. Gjithashtu, u sekuestruan edhe veshje që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga dy të dyshuarit.

