Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Zjarret në vend/ 8 vatra aktive, ndërhyrje me forca në terren dhe nga ajri

schedule20:29 - 28 Gusht, 2026

schedule 20:29 - 28 Gusht, 2026

TIRANË – Tetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Shqipërisë, ndërsa katër të tjera janë nën mbikëqyrje dhe pesë janë shuar plotësisht. Të dhënat janë bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes, bazuar në informacionin operacional të orës 20:00 të datës 28 gusht 2026.

Në disa prej vatrave situata vijon të menaxhohet nga forcat zjarrfikëse dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa në zonat më të vështira është kërkuar edhe ndërhyrja e Forcave të Armatosura nga ajri.

Në Malin e Dajtit, në Tiranë, vijojnë tre vatra të riaktivizuara në zonën e Qafë Priskës dhe në kreshpën e malit. Në terren janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse dhe të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.

Në Qafë të Helmës, Bulqizë, zjarri po përhapet në shkurre dhe pisha. Forcat në terren po punojnë me prita dhe pompa shpine. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situatë aktive paraqitet edhe në Vajkal të Bulqizës, ku zjarri vijon në terren shkëmbor me shkurre dhe dëllinja. Në operacion janë angazhuar 95 forca, mes tyre 20 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe një helikopter i FA. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Sllatinë të Dibrës, situata është rënduar gjatë mesditës për shkak të temperaturave të larta dhe erës, ndërsa zjarri ka kaluar në një zonë me pyll me pisha të larta. Mbi 100 forca ndodhen në terren, të mbështetura nga një helikopter i FA. Autoritetet bëjnë me dije se zonat e banuara nuk rrezikohen.

Në Xhyrë të Librazhdit, zjarri vijon të favorizohet nga era. Dy banesa janë evakuuar, ndërsa mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre. Në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Në Tërbuq të Gjirokastrës, zjarri ka përshkuar rreth 30 hektarë, por aktualisht është nën kontroll të plotë dhe nuk paraqet rrezik për banorët.

Në Dragot të Tepelenës, krahas strukturave të MZSH-së, janë nisur në mbështetje 30 forca ushtarake dhe tre automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, në Çorrush të Mallakastrës, vijon puna për shuarjen e zjarrit në kullota dhe bimësi të ulët. Në terren janë angazhuar dy automjete zjarrfikëse dhe tetë efektivë të MZSH-së.

Një tjetër operacion po zhvillohet në Tërbaç, Vranisht, në njësinë administrative Horë-Vranisht të bashkisë Himarë, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në terren janë dy automjete zjarrfikëse me nëntë efektivë të MZSH Himarë, ndërsa ndërhyrja nga ajri po mbështetet nga dy helikopterë dhe një avion Air Tractor.

Në rang vendi, në mbështetje të operacioneve janë angazhuar gjithsej 50 forca ushtarake, katër helikopterë dhe një avion Air Tractor të Forcave të Armatosura.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Autoritetet deklarojnë se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!