Dy persona janë arrestuar në Tiranë, të dyshuar për përfshirje në ngjarjen e ndodhur më 23 gusht në lagjen “1 Maji” në Kuçovë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar.
Në kuadër të operacionit u arrestuan një 32-vjeçar dhe një 49-vjeçar, të dy banues në Kuçovë.
Gjatë kontrollit të banesës së 49-vjeçarit, në tarracë u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri dhe disa fishekë, që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen.
32-vjeçari akuzohet për “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, ndërsa 49-vjeçari për “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Ndërkohë, një 65-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


