Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm në Nea Smyrni të Athinës, ku 45-vjeçarja Julieta Obzova u vra me armë zjarri, ndërsa autori i dyshuar, Altin Allmuça, më pas i dha fund jetës.
Sipas hetimeve paraprake, viktima dhe autori kishin pasur një lidhje në të kaluarën, ndërsa dyshohet se marrëdhënia mes tyre ishte e tensionuar. Në vitin 2024, gruaja kishte bërë një kallëzim në Stacionin e Policisë së Akropolit, duke e akuzuar atë për përvetësim prone dhe pretenduar se i kishte marrë një motoçikletë.
Megjithatë, deri tani autoritetet nuk kanë konstatuar ndonjë denoncim të mëparshëm për dhunë në familje mes tyre.
Ngjarja ndodhi në rrugën Grigoriou Kydonias, pranë hyrjes së një pallati. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar hetuesit në rindërtimin e ngjarjes.
Sipas pamjeve, autori kishte pritur në makinën e tij pranë pallatit. Kur 45-vjeçarja mbërriti, mes tyre nisi një debat. Pak çaste më vonë, burri e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.
Më pas, sipas hetimeve, ai e drejtoi armën ndaj vetes dhe kreu vetëvrasje.
Arma e përdorur në krim, një revolver, u gjet nën trupin e autorit. Kjo shpjegon edhe faktin se në vendngjarje nuk u gjetën gëzhoja.
Julieta Obzova kishte lindur në Shqipëri në vitin 1981 dhe dispononte dokument identifikimi grek. Sipas informacioneve të autoriteteve, ajo nuk ishte banore e pallatit ku ndodhi ngjarja, por kishte shkuar aty pasi vajza e saj jetonte në atë ndërtesë.
Ndërkohë, Altin Allmuça, me origjinë shqiptare, jetonte në Kallithea. Hetuesit kanë sekuestruar dhe po analizojnë edhe materiale të publikuara në rrjetet sociale, ku ai shfaqej duke pozuar me armë.
Të shtënat janë dëgjuar pak pas orës 05:30 të mëngjesit, duke alarmuar banorët e zonës. Në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të shumta policie dhe ambulanca.
Hetimin e ka marrë përsipër Departamenti i Vrasjeve. Autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa pritet edhe raporti i mjekut ligjor për të përcaktuar numrin e saktë të plagëve të shkaktuara nga të shtënat.



