Personi më i moshuar në botë, Ethel Caterham, feston të premten 117-vjetorin e lindjes në Surrey, në prani të familjarëve dhe miqve.
Ethel, e cila jeton në shtëpinë e kujdesit Hallmark Lakeview në Lightwater, u bë personi më i moshuar në botë në prill 2025, pas vdekjes së murgeshës braziliane Inah Canabarro Lucas në moshën 116-vjeçare.
E lindur tre vjet para fundosjes së Titanikut dhe tetë vjet para Revolucionit Rus, Ethel ka jetuar gjatë dy luftërave botërore. Ajo është gjithashtu ndër njerëzit më të moshuar që kanë mbijetuar nga Covid-19, pasi u infektua në vitin 2020, në moshën 110-vjeçare, sipas Guinness World Records.

Ethel lindi në Shipton Bellinger të Hampshire dhe ishte e dyta më e vogël nga tetë fëmijë. Ajo u rrit në Tidworth, Wiltshire.
Ajo konsiderohet personi i fundit ende gjallë që ka jetuar gjatë mbretërimit të Edward VII. Në moshën 18-vjeçare, në vitin 1927, udhëtoi drejt Indisë, ku filloi të punonte si dado për fëmijët e një familjeje ushtarake.
Ethel u njoh me bashkëshortin e saj, Norman, një nënkolonel i ushtrisë britanike, në një darkë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1931. Më vonë, çifti jetoi në Hong Kong, ku Ethel hapi një kopsht fëmijësh.
Ata patën dy vajza, të cilat të dyja ndërruan jetë para saj. Norman vdiq në vitin 1976. Edhe njëra prej motrave të Ethelit, Gladys, jetoi mbi 100 vjet, duke arritur moshën 104-vjeçare.
Ethel, e cila vazhdonte të drejtonte makinën edhe në moshën 97-vjeçare, u vizitua nga Mbreti Charles në shtator të vitit të kaluar, pak pas 116-vjetorit të saj.

Gjatë takimit, ajo kujtoi ceremoninë e investimit të Charles si Princ i Uellsit në vitin 1969, kur ai ishte 21 vjeç, dhe i tha me humor: “Të gjitha vajzat ishin të dashuruara me ty dhe donin të martoheshin me ty.”
Megjithatë, rekordin për personin më të moshuar që ka jetuar ndonjëherë e mban ende francezja Jeanne Calment. Ajo vdiq në vitin 1997, në moshën 122 vjeç e 164 ditë, sipas Guinness World Records.


