Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është lokalizuar, kapur dhe arrestuar në Malësinë e Madhe, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”.
Operacioni u finalizua nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të operacioneve për kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht.
Shërbimet operacionale kanë lokalizuar në fshatin Kosan shtetasin Franko Broqi, 32 vjeç, banues në këtë fshat, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest nga autoritetet italiane.
Sipas Policisë së Shtetit, 32-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykatësi për Hetimet Paraprake në Gjykatën e L’Aquila, Itali, kishte nxjerrë urdhër-arrestin për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Prishje e vulave të vendosura nga autoritetet”, sipas legjislacionit penal italian.
Franko Broqi është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt shtetit italian.


