Një pilot ka humbur jetën dhe dy efektivë të Policisë Shtetërore të Pensilvanisë janë plagosur pas përplasjes në ajër të një avioni të vogël privat me një helikopter policie pranë Aeroportit Rajonal të Carlisle, në Pensilvani.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së (FAA), aksidenti ndodhi rreth orës 19:50 me orën lokale, gjatë një fluturimi stërvitor. Një Cessna 150 u përplas me një helikopter Bell 407 të Policisë Shtetërore të Pensilvanisë pranë aeroportit.
Helikopteri kishte në bord dy policë, pjesëtarë të njësisë së aviacionit të policisë shtetërore, ndërsa avioni i vogël privat kishte vetëm pilotin. Dy efektivët e plagosur pritet të shërohen, bëri të ditur guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro.
Pas përplasjes, dhjetëra automjete të emergjencës mbërritën në vendngjarje, ndërsa autoritetet nisën një operacion të gjerë shpëtimi dhe hetimi. Në zonë u thirr edhe një mjek ligjor, ndërsa guvernatori Shapiro udhëtoi drejt vendit të aksidentit.
Dëshmitarët thanë se panë dy policët në helikopter dhe pilotin në avionin e vogël. Sipas tyre, helikopteri po fluturonte në lartësi të ulët dhe po kryente manovra përpara përplasjes, praktikë që ata e përshkruan si të zakonshme në zonën e aeroportit.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan helikopterin të përmbysur pranë pistës dhe pjesë të tij të shpërndara në bar. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e përplasjes.
A Pennsylvania State Police Bell 407 helicopter and a civilian Cessna 150 collided midair near Carlisle, Pennsylvania this evening.
Two people were aboard the helicopter and one or two were aboard the plane. Their conditions are currently unknown. pic.twitter.com/3du34zyBfU
— National Chronicle (@NCNewsOnX) August 20, 2026



