Operacionet e ngritjes dhe uljes së avionëve në aeroportin Fontanarossa të Catanias do të rifillojnë normalisht, pasi autoritetet kanë vendosur të heqin të gjitha ndalimet dhe kufizimet që ishin vendosur për shkak të aktivitetit të vullkanit Etna.
Kompania SAC, e cila menaxhon aeroportin, njoftoi se vendimi për rikthimin e operimit normal vjen pas uljes së nivelit të alarmit për Etnën nga “i kuq” në “portokalli”.
Aktiviteti i fundit shpërthyes i vullkanit, i cili nisi rreth dy javë më parë, shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme në trafikun ajror. Si pasojë, u anuluan të paktën 800 fluturime me destinacion ose nisje nga aeroporti i Catanias.
Ndërkohë, dëmet ekonomike për turizmin dhe sektorët e lidhur me të në Siçili vlerësohen paraprakisht në më shumë se 50 milionë euro.
Me uljen e nivelit të alarmit, aeroporti pritet të rikthehet gradualisht në funksionimin normal, ndërsa autoritetet vijojnë të monitorojnë aktivitetin e Etnës.


