Avokati Idajet Beqiri thotë protesta në bulevard, është futur në një rrugë pa krye.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se qytetarët duhet të protestojnë për faktin se kreu i PD, Sali Berisha, nuk po dënohet për krimet që ka bërë.
Beqiri shtoi se ka përfunduar hetimi për çështjen e 21 janarit dhe pritet arrestimi i Berishës.
“Protesta është futur në rrugë pa krye, një çiban po e dëmton jetën në kryeqytet. Kryeqytetasit duan të shëtisin në bulevard. Nuk dinë çfarë kërkojnë. Protesta nisi për interesa të vendeve që kishin halle me Shqipërinë, e cila po ecte në rrugë të mbarë në fushën e turizmit. Protesta nisi për interesat e Greqisë, Serbisë dhe Iranit. Pastaj u futën brenda saj edhe elementë të tjerë. Përfitimet më të mëdha i ka dashur Berisha. Do që ai ta barazojë veten me Edi Ramën, që të gjithë janë kriminelë, hajdutë, të korruptuar. Sot në protestë nuk ka më qytetarë, ka disa që paguhen, e kanë shitur shpirtin te Sali Berisha.
Ka 15 vjet që nuk zbardhen vrasjet e 21 janarit. Vrasjet kanë një autor, vrasësi i demokracisë në Shqipëri është Sali Berisha. Pse nuk ngrihen protestuesit. Ky proces është drejt mbarimit, ka përfunduar hetimin. Kjo çështje pret arrestimin e Berishës. Procese të tjera janë disa në SPAK”, theksoi ai.
Ndër të tjera, Beqiri deklaroi se një dëshmitar ka ardhur nga Franca dhe ka dëshmuar në SPAK në lidhje me vrasjet e kryera në Tropojë, ku përgjegjës është Berisha./abcnews.al


